Dy persona rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së një anijeje peshkimi me regjistrim francez në Kanalin Anglez, ndërsa tre persona të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital.
Agjencia Detare dhe e Rojës Bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar u njoftua pak pas orës 18:00 të së shtunës, pas një raportimi se anija, me pesë persona në bord, ishte “në rrezik” pranë brigjeve të Plymouth, në Devon.
Menjëherë pas alarmit, në zonë u dërguan një helikopter i rojes bregdetare, një avion dhe varka shpëtimi të RNLI-së nga Falmouth dhe Plymouth. Anija besohet se ndodhej në vështirësi në jugperëndim të farit Eddystone, rreth 15 milje në jug të Plymouth.
Tre persona u shpëtuan mbrëmjen e së shtunës dhe u dërguan në spital për trajtim të mëtejshëm. Ndërkohë, dy persona të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur.
Roja Bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se operacioni i kërkim-shpëtimit vijoi gjatë gjithë natës dhe është rikthyer edhe gjatë së dielës me disa mjete të angazhuara në kërkim. “Tre persona u shpëtuan mbrëmjen e kaluar nga anija e peshkimit e regjistruar në Francë, e cila kishte bërë thirrje për ndihmë. Kërkimi po vazhdon për dy persona të tjerë që mbeten të zhdukur. Anija është fundosur.”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Autoritetet vijojnë operacionin në përpjekje për të gjetur dy personat e zhdukur, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e sakta që çuan në fundosjen e anijes.
