Disa ditë pune duket sikur përsëriten pafundësisht: zgjohesh, shkon në punë, kalon orë të tëra në zyrë, kthehesh në shtëpi dhe nis e njëjta rutinë nga e para. Por një trend i ri në TikTok po sugjeron një mënyrë të thjeshtë për t’i bërë ditët e lodhshme pak më të bukura: “shpëtimin e ditës”.
Ideja është shumë e thjeshtë. Pas një dite të vështirë, bëj diçka, sado të vogël, që të jep ndjesinë se dita nuk shkoi kot. Mund të jetë një shëtitje, një telefonatë me mamin, përgatitja e një vakti të shijshëm apo thjesht një filxhan çaj në divan me librin tënd të preferuar.
Trina, një krijuese përmbajtjeje që ndan këshilla për balancën mes punës dhe jetës personale, e ka kthyer këtë në një lloj sfide mes saj dhe miqve. Pyetja që i bëjnë njëri-tjetrit pas një dite të lodhshme është: “Si e shpëtove ditën sot?”
Përgjigjja mund të jetë gjithçka që të krijon pak kohë për veten. Disa shkojnë në palestër, të tjerë takojnë një mik, bëjnë një shëtitje apo përgatisin diçka të mirë për të ngrënë. Dhe, sipas përdoruesve të TikTok, nuk ka nevojë të shpenzosh shumë para apo të organizosh diçka të madhe që një ditë e zakonshme të marrë një kthesë më të mirë.
Në komentet e videos, e cila ka marrë miliona shikime, njerëzit kanë ndarë mënyrat e tyre për ta “shpëtuar” ditën. Dikush shkroi se ishte marrë me kopshtin e tij, një tjetër kishte ndaluar te shtëpia e një miku për të ngrënë e biseduar, ndërsa dikush tjetër tha se mjaftuan vetëm 10 minuta i shtrirë në bar.
Të tjera ide? Petulla për darkë, një sy gjumë, leximi në park, një banjë relaksuese, një fjalëkryq apo thjesht të shohësh një emision që të pëlqen.Fundja, trendi nuk ka të bëjë me diçka spektakolare, por me gjetjen e një momenti të vogël gjatë ditës që është vetëm për ty.
Ndoshta një ditë e keqe nuk mund të ndryshohet plotësisht, por ndonjëherë mjafton një gjë e vogël për të mos e lënë atë të marrë me vete gjithë ditën./mxh
