Psikologia Edlira Dyrmishaj ka deklaruar se Partia Socialiste nuk ka frikë nga protesta që vijon prej 25 ditësh, duke theksuar se qëndrimi i forcës politike në pushtet është i orientuar drejt dialogut me qytetarët.
Në një intervistë në emisionin “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, Dyrmishaj u shpreh se PS-ja nuk është kundër protestuesve, por kundër gjuhës së përdorur gjatë tubimeve.
“Partia Socialiste nuk ka frikë nga protesta dhe nuk është kundër protestuesve, por është kundër gjuhës së përdorur në atë protestë”, tha ajo.
Sipas saj, partitë e mëdha politike nuk duhet të udhëhiqen nga zemërimi, por nga nevoja për të gjetur alternativa dhe zgjidhje për qytetarët.
“Një parti e madhe nuk ushqehet nga zemërimi. Ushqehet nga nevoja për të gjetur alternativë dhe zgjidhje për qytetarët e saj”, u shpreh Dyrmishaj, duke shtuar se beson se situata do të shkojë drejt dialogut.
Psikologia theksoi gjithashtu se ftesa e PS-së për dialog ka qenë e hapur dhe se komunikimi me qytetarët mbetet një element i rëndësishëm.
“Ftesa e Partisë Socialiste ka qenë gjithmonë e hapur për të pasur dialog”, deklaroi Dyrmishaj./ad
