Last Updated on 15/09/2025 by adminfjala
Një nga kandidatët për president të Benficas ka premtuar se do të sjellë Jurgen Kloppin në stol nëse fiton zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Klopp, gjerman 58-vjeçar, nuk ka drejtuar ndonjë klub që nga largimi i tij në fund të sezonit 2023/24.
Cristovao Carvalho, kandidati për president të Benficas, nuk u ndal përballë këtyre spekulimeve. Ai deklaroi se Klopp është objektivi i tij kryesor në rast fitoreje dhe prezantoi një plan ambicioz për të çuar klubin në finalen e Ligës së Kampionëve brenda pesë viteve.
“Bruno Lage nuk do të qëndrojë me mua pasi të skadojë kontrata e tij në fund të sezonit. Më duhet një trajner i klasit botëror, një që e ka fituar tashmë Ligën e Kampionëve dhe që është i gatshëm ta fitojë këtë trofe edhe me Benfican”.
“Ka vetëm një emër në kokën time: Jürgen Klopp. Ai madje ka thënë se Benfica është një klub i madh dhe se një ditë do të donte ta drejtonte. Dikush që thotë këtë ka më shumë arsye për të qenë në këtë klub sesa kushdo tjetër”, tha Carvalho për gazetën portugeze Sic Noticias. m.p.
