Nga Laura Snapes
Ajo ka fituar vlerësime dhe çmime të panumërta për muzikën e saj plot lojëra vokale, ritme trupore dhe tinguj të pazakontë. Tani, pas 15 vitesh pune, Camille ka realizuar veprën e saj më të guximshme deri më sot – një epope muzikore për lindjen, foshnjëritë dhe adoleshencën.
Camille-s iu deshën 15 vjet për të përfunduar albumin e saj të ri. “The Sound of Milk” është një album i trefishtë, ku secila pjesë dokumenton një etapë të veçantë të përvojës së saj në rritjen e dy fëmijëve me kompozitorin Clément Ducol. “Naissance” (Lindja) daton nga viti 2015, “Enfance” (Fëmijëria) nga 2020 dhe “Adolescence” (Adoleshenca) nga 2025.
Ajo mund t’i kishte publikuar veçmas sapo t’i përfundonte, por kuptoi se nuk ishte ende gati.
“Fëmijët e mi ishin shumë të vegjël dhe do të isha ndier tepër e ekspozuar për të folur për këtë, sepse albumi flet për bukurinë, gëzimin, për gjëra shumë të thella,” thotë Camille nga shtëpia e saj në fshatin francez. “Kisha nevojë të distancohesha dhe ta shihja gjithë udhëtimin. Duhej të ndihesha mjaftueshëm e qëndrueshme për ta nxjerrë në një botë që nuk i respekton fëmijët dhe nënat.”
Në sipërfaqe, pjesa më e madhe e albumit të saj të gjashtë mund të tingëllojë shumë e ëmbël. “Naissance” nuk përmban instrumente të mirëfillta – është pothuajse një regjistrim i drejtpërdrejtë i jetës me foshnjat, me gugatjet, frymëmarrjet dhe tingujt e përditshëm.
E njohur për eksperimentimet e saj vokale – beatbox, fryrje buzësh dhe imitimin e tingujve të pazakontë – Camille e pa këtë album si një manifest që e çliron këngën nga mënyra se si muzika pop shpesh shkëputet nga trupi.
“Si grua, muzika është një mënyrë jetese,” thotë ajo. “Ka të bëjë me frymëmarrjen, me të qenit pranë fëmijëve të mi, me të kënduarit së bashku me atë që ndodh rreth meje në një botë të hapur.”
Ajo e quan “Enfance” një “muzikal xhepi”: një vepër atmosferike e mbushur me ato këngëza që prindërit shpikin kur u mësojnë fëmijëve shkallët, lavatriçen apo gjërat më të zakonshme të jetës.
“Po i ngrini shprehjet e përditshme të mëmësisë në nivel arti,” i sugjeron gazetarja.
“Më pëlqen ajo që po thoni,” përgjigjet Camille. “Të gjitha familjet janë vepra arti. Ne krijojmë vlerat tona, botët tona, mënyrën tonë të të folurit me njëri-tjetrin.”
“Ndihesh sikur po krijon ushtarë për botën”
Vetëm pjesa e tretë, “Adolescence”, është prodhuar plotësisht dhe i përmbahet stilit të veçantë pop që Camille ka ndërtuar që nga viti 2002, duke përzier drone, kabare, perkusion trupor dhe atmosfera pothuajse kishtare.
Sot, në moshën 48-vjeçare, Camille shihet si pjesë e një tradite artistësh novatorë si Meredith Monk, Laurie Anderson dhe David Byrne.
“Adolescence” është pjesa më hapur politike e albumit. Këngët flasin për kolapsin ekologjik, mungesën e respektit ndaj brezave të ardhshëm dhe verbërinë e shkaktuar nga ekranet.
Por e gjithë vepra përshkohet nga një frymë sfiduese: gëzim përballë errësirës, vënia në qendër e përvojës së nënës dhe e historisë së saj familjare në një botë që do të preferonte t’i linte në hije.
Camille flet me pasion për këtë temë. Ajo tregon se iu desh të luftonte që albumi të realizohej pikërisht në këtë formë.
“M’u desh shumë kohë të bindja shtëpinë time diskografike,” thotë ajo. “Këto këngë konsideroheshin ‘gjëra nënash’: ‘Lëri në shtëpi. Shkruaj këngë të vërteta, këngë për radio, regjistroji në studio.’ Por këto janë këngë. Kjo është jeta ime dhe kjo – të qenit nënë – është ajo që e mban botën në lëvizje. Këtu e kemi origjinën të gjithë. Nëse askush nuk na këndon kur jemi të vegjël, nëse askush nuk krijon për ne, atëherë po vdesim.”
Mizogjinia e brendësuar
Gazetarja pranon se herën e parë që e dëgjoi albumin, këngëzat familjare i dukeshin paksa të sikletshme. Pastaj kuptoi se ndoshta po përballej me paragjykime të brendshme ndaj mënyrës se si gratë shprehen artistikisht.
“Është provokuese,” pranon Camille. “E kuptoj plotësisht çfarë po thoni dhe ju falënderoj që ma tregoni, sepse mendoj se shumë njerëz do të ndihen kështu.”
Edhe ajo vetë, në fillim, kishte menduar se nuk duhej t’i kthente regjistrimet familjare në muzikë.
“Një zë i brendshëm më thoshte: ‘Kjo është jeta ime private. Kjo nuk është art. Është shumë e gëzueshme.’ Më dukej sentimentale. Pastaj kuptova: jo, kjo është mizogjini e brendësuar. Dhe është forma më e keqe e mizogjinisë, sepse të bën të besosh se nuk e meriton të jesh aty.”
Mrekullia e jetës
Shumë njerëz e kanë krahasuar “The Sound of Milk” me filmin “Boyhood” të Richard Linklater, i cili ndjek rritjen e një fëmije përgjatë viteve.
Albumi përmban një lloj të vetin udhëtimi në kohë. Disa këngë rikthehen në forma të ndryshme përgjatë tre pjesëve. Në “Monsieur Garçon”, Camille krahason djalin e saj adoleshent me foshnjën që ka qenë dikur.
“Kjo është pjesa halucinante e prindërimit,” thotë ajo. “Është mistike.”
Albumi flet për marramendjen dhe habinë që shkakton mrekullia e jetës.
“Nuk është një botë për fëmijët dhe nënat”
Camille zemërohet me ata që e zhvlerësojnë këtë përvojë. Ajo përmend deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron në vitin 2024 për “riarmatosjen demografike” të Francës përballë rënies së lindshmërisë.
“Ndihesh sikur po krijon ushtarë për botën,” thotë ajo. “Dhe nëse nuk bëhen ushtarë, mund të bombardohen, sepse në këtë botë bombardohen fëmijët, nënat dhe familjet.”
Sipas saj, politika nuk trajton shkaqet e vërteta të problemit.
“Nënat lindin dhe më pas pritet të jenë efikase ditën tjetër, pas një muaji apo tre muajsh. Kjo nuk është jeta.”
Për Camille, “The Sound of Milk” është një manifest për kohën, për gëzimin dhe për atë që ndodh kur kalon kohë me fëmijët.
“Gëzimi është bërë tabu. Na irriton. Nuk duam të dëgjojmë për të. Është sikur na pengon. Si ekologjia: ‘Ah, kjo është luks’. Ndërkohë flasim për luftëra dhe probleme ‘të vërteta’.”
“Për të luftuar depresionin duhet gëzim”
Camille ka qenë gjithmonë një artiste lozonjare dhe e mbushur me energji. Por ajo pranon se natyra e saj e vërtetë është më e errët.
“Unë jam thellësisht një njeri i errët,” thotë duke qeshur. “E mbaj mbi supe dhimbjen e botës. Për të luftuar depresionin të duhet gëzim. Tingëllon si klishe, por kjo është arsyeja pse zgjodha të këndoj.”
Ajo beson se kjo ndjeshmëri e lartë shpesh lind tek fëmijët që rriten në familje ku ka shumë errësirë.
Babai i saj vinte nga një familje e varfër, ishte braktisur në fëmijëri dhe më pas ishte adoptuar. Nëna e saj vinte nga një familje e pasur ku foshnjat rriteshin nga dado.
“Ajo pati tre fëmijë dhe përjetoi një krizë të rëndë kur iu desh të kthehej në punë kur vëllai im ishte vetëm tre muajsh.”
Për Camille, ushqyerja me gji ishte një mënyrë për të riparuar sadopak boshllëqet emocionale të trashëguara ndër breza.
Kopertina e albumit e tregon lakuriq, duke ushqyer një foshnjë në një sipërfaqe asfalti bosh, pa asnjë shenjë tjetër jete përreth.
“Ky nuk është një botë për fëmijët dhe nënat,” përsërit ajo.
Të mësosh t’i lësh të lirë
Fëmijët e saj e adhurojnë albumin.
“Janë shumë krenarë,” thotë ajo me emocione. “Për shfaqjen e fundvitit, djali im më ftoi të këndoja me të dhe me shokët e tij. Dhe ai është adoleshent, do të mbushë 16 vjeç. Është shumë e ëmbël.”
Ajo përlotet nga gëzimi.
Paradoksalisht, ky do të jetë turneu i parë ku familja e saj nuk do ta shoqërojë.
“Do të jetë një kërkim për të kuptuar si krijoj një familje me grupin tim dhe me publikun. Çfarë është familja njerëzore?”
Adoleshenca e fëmijëve të saj ka sjellë një lloj adoleshence të re edhe për vetë Camille.
“Kur je adoleshent mendon se mund të jetosh pa prindërit, por ende ke nevojë për ta. Si prind, e do pafundësisht të qenit pranë fëmijëve, por e di se një ditë ata do të jetojnë jetën e tyre. Je mes dy botëve dhe duhet të përgatitesh.”
Pastaj shton:
“Të kujdesesh për ata që do të nxjerr nga egoizmi. Por më pas pyet veten: kush jam unë? Si mund të jem mirë vetëm me veten, në mënyrë që fëmijët të ndihen të lirë të bëhen të rritur, pa ndier se lumturia e nënës varet prej tyre?”
Kjo, thotë ajo, është edhe arsyeja pse e krijoi këtë album.
“Kjo është magji dhe unë po festoj magjinë e saj. Po falënderoj fëmijët e mi që më lejuan të vazhdoj përpara, të bëhem dikush tjetër dhe të rizbuloj veten përsëri, përsëri e përsëri.”
