Syzet inteligjente të Meta-s, të cilat ofrojnë edhe funksione të dobishme për personat me probleme të shikimit apo dëgjimit, mund të ndalohen në kinematë britanike për shkak të shqetësimeve për regjistrimet e fshehta dhe piraterinë e filmave.
Shoqata e Kinemave të Mbretërisë së Bashkuar (UKCA) po shqyrton mundësinë e kufizimit të përdorimit të këtyre syzeve. Ato kanë kamera të integruara në skelet, që mundësojnë fotografimin dhe filmimin pa pasur nevojë për telefon. Edhe pse syzet kanë një dritë treguese që sinjalizon kur po bëhet regjistrim, ajo mund të mbulohet lehtësisht, çka ka ngritur shqetësime për privatësinë dhe regjistrimet pa dijeninë e personave të tjerë. Për këtë arsye, syzet janë pagëzuar në disa raste edhe si “syze spiune” apo “syze perverse”.
Shqetësimi kryesor i kinemave lidhet me piraterinë. Sipas UKCA, shkelja e të drejtave të autorit i kushton industrisë krijuese britanike të paktën 500 milionë paund në vit, ndërsa më shumë se 90% e kopjeve të paligjshme të filmave të rinj regjistrohen brenda kinemave.
Në vitin 2025 janë evidentuar 121 raste në Britani ku stafi i kinemave ka zbuluar dhe ndërprerë regjistrime të paligjshme. Për këtë arsye, disa kinema kanë nisur t’u kërkojnë spektatorëve të vendosin telefonat në qese të posaçme sigurie gjatë shfaqjeve.
Megjithatë, ndalimi i syzeve nuk është një çështje e thjeshtë. Për personat me dëmtime të shikimit ose dëgjimit, ato mund të ofrojnë funksione të rëndësishme aksesueshmërie, përfshirë titra të personalizuara. Meta i ka cilësuar syzet si një teknologji të rëndësishme për personat me shikim të kufizuar dhe ka paralajmëruar se kufizimi i përdorimit të tyre do të ishte një hap pas.
Deri tani, në Britani nuk ka një ndalim mbarëkombëtar, por diskutimi për mënyrën se si duhet të kontrollohen syzet inteligjente me inteligjencë artificiale po zgjerohet në Europë. Në Gjermani, autoritetet për mbrojtjen e të dhënave kanë paralajmëruar se përdorimi i tyre mund të ndalohet në bazë të ligjeve që ndalojnë pajisjet e fshehta të regjistrimit.
