Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Nga Klevis Bakillari
“Borxhi i Paqes”, një metaforë që buron nga fakti historik se shqiptarët, sidomos në Kosovë, e kanë përjetuar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara si shpëtim. Emri i SHBA në memorien kolektive shqiptare s’është veç aleat diplomatik, por një fuqi që vulosi fatin e luftës në Kosovë. Kosova ishte një nga ato vende ku Amerika bëri luftë për të ndalur një katastrofë humanitare, dhe shqiptarët – në narrativën historike – e kanë ndjerë këtë si një borxh moral ndër shekuj.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e Shqipërisë në Bordin e Paqes – një strukturë që synon stabilitet në vendet ku SHBA ka ndërhyrë ushtarakisht – nuk është luks diplomatik, por detyrim historik. Dhe kjo ngjarje për Ramën,është një kartë e fortë: e vendos Tiranën në tryezën e vendimeve.
Kërkesa për lirimin e komandantëve të UÇK-së,përveçëse akt emocional,ishte lëvizje me dy tehe. Nga njëra anë, ai artikuloi një kërkesë që shumë shqiptarë e konsiderojnë normale: mbrojtjen e legjitimitetit të veprimtarisë ushtarake të UÇK-së dhe dinjitetit të luftës çlirimtare. Nga ana tjetër, ai e kornizoi këtë si një përballje me prokurorin Jack Smith, duke e shndërruar çështjen në betejë narrative kundër një drejtësie që perceptohet si selektive.
Këtu Rama “vret dy zogj me një gur”: mobilizon ndjenjën kombëtare dhe njëkohësisht projekton veten si mbrojtës i kauzës shqiptare përtej kufijve. Në horizont, kjo narrativë i shërben edhe një qëllimi tjetër: krijimit të një distance simbolike nga presionet e brendshme të SPAK.
SPAK u krijua me një mandat të qartë: të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta të politikës dhe administratës publike. Megjithatë, institucionet e reja shpesh përballen me presione të ndryshme, nga media, nga politika, dhe nga ndërkombëtarët. Në këtë kontekst, ‘borxhi i paqes’ shihet si një instrument diplomatik i ekzekutivit: përmes tij, kryeministri mund të sigurojë një marrëdhënie të qetë me organet e pavarura, duke shmangur përplasje të drejtpërdrejta që mund të çojnë në kriza politike ose destabilizim institucional.
Në realitetin shqiptar, ekuilibri midis pushtetit dhe drejtësisë shpesh kërkon negociata të fshehta dhe kompromis të heshtur — një formë moderne e “kleringut” që përpiqet të ruajë paqen dhe rendin institucional.
Diskursi i Edi Ramës, mbi ‘borxhin e paqes’ dhe kleringun me SPAK është më shumë se një debat personal mbi liderin. Ai reflekton sfidat e një sistemi demokratik të sapo-konsoliduar, ku institucionet e pavarura dhe ekzekutivi duhet të gjejnë një ekuilibër mes lirisë së veprimit dhe stabilitetit politik. Ky ‘borxh i paqes’, nëse interpretohet si një mjet për të ruajtur stabilitetin institucional, mund të shërbejë si një test për maturinë dhe rezistencën e demokracisë shqiptare
Duke u pozicionuar si figurë e madhe e skenës rajonale, Rama tenton të ndërtojë një imunitet politik përballë furtunave të brendshme. Dhe mbi të gjitha, Rama e di fuqinë e imazhit: me Hashim Thaçi në skenë, Kosova dhe Shqipëria projektohen në imagjinatën kolektive si një trup i vetëm. Jo si projekt formal bashkimi, por si iluzion i prekshëm i një shteti të përbashkët emocional. Është një teatër simbolesh ku kufijtë zbehen dhe flamuri bëhet metaforë e një uniteti që tejkalon realitetin juridik.
Shqipëria gjendet mes dy vizionesh: njëri që kërkon legjitimitet përmes mbështetjes ndërkombëtare dhe simbolikës së paqes; tjetri që përpiqet të mobilizojë revoltën kundër një pushteti të gjatë. Por në këtë skenë të ndezur, ku fjalët janë fishekë dhe metaforat barut, një gjë është e qartë: borxhi ndaj paqes dhe ndaj Amerikës mbetet busulla morale e shqiptarëve. Dhe kush arrin ta përvetësojë këtë busull, fiton jo vetëm betejën politike, por edhe imagjinatën e një kombi.
