Last Updated on 23/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të premte një komunikim me mediat lidhur me protestat e fundit në Tiranë, duke akuzuar për përfshirjen e forcave të tjera në organizimin e tyre dhe duke pretenduar se një pjesë e protestuesve janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
Me sloganin “Student, jo” të vendosur pas krahëve të tij, Rama e nisi fjalën duke deklaruar se do të ekspozonte, sipas tij, komponentët e asaj që e cilësoi si terror psikologjik mbi kryeqytetin dhe qytetarët shqiptarë.
Kreu i qeverisë u ndal te raporti mes punonjësve të policisë së plagosur dhe protestuesve të lënduar, duke pretenduar se efektivët e policisë kanë pësuar dëmet më të mëdha gjatë përplasjeve. Ai kritikoi gjithashtu mediat, të cilat i cilësoi si “ekrane të korruptuara”, për mënyrën se si kanë pasqyruar protestat.
“Jam këtu për të ndarë me ju një nga komponentët e asaj që ndodhi në ditët e terrorit psikologjik mbi kryeqytetin dhe popullin e Shqipërisë. Komponentë që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi.
Ndërkohë që e drejta për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari, në Shqipëri dhuna është një krim i parelativizueshëm. Dhe, për fat të keq, në protestat e javës së fundit u bënë bashkë të dyja. Nga njëra anë, liria për të protestuar dhe, nga ana tjetër, dhuna si një krim u relativizua dhe u glorifikua në ekranet e korruptuara.
Shqipëria, orë e çast, pa me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkua me idenë tërësisht të rreme se studentë idealistë dhe të pafajshëm u vunë nën dhunë policore. Një përmbysje dramatike dhe manipuluese.
Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe studentëve të lënduar. Pjesa më e dëmtuar është policia, gjë që ka bërë vaki këtu me shifra dhe fakte”, tha Rama.
Më tej, kryeministri pretendoi se që prej nisjes së protestës paqësore kishte paralajmëruar për ndikimin e forcave të tjera, ndërsa akuzoi për përshkallëzim të situatës dhe përfshirje të elementëve të financuar nga jashtë. Ai përmendi gjithashtu futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe atë që e cilësoi si një rrjet të terrorit urban, duke iu referuar pretendimeve që, sipas tij, janë në duart e Policisë së Shtetit.
“Faktikisht, ka pasur më shumë se dy punonjës policie të plagosur për një protestues të lënduar. Në të gjitha vendret e tjera, raporti është i përmbysur. Nuk bën vaki që në një mainfestim. pjesa më e madhe e plagosur të jetë policia. Për ekranet e korruptuara do ketë kohë të dytë për të folur. Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar, mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore, masive e flamingove kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime, por se ajo protestë ishte e infliencuar rëndë nga forcfa të tjera, ka qenë një fakt, që në këtë valë të dytë të dhunshme është evidentuar, përashkallëzimi është përshkallëzuar. Futja në Shqipëri e maskave, lëndëve eksplozive përmes doganave, janë në duart e policisë së shtetit. Rrjeti antifa, e terrorit urban, është në duart e policisë së shtetit. Janë edhe pjesëmarrësit apo më saktë, një pjesë e pjesëmarrësve të financuar nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë, ku padyshim, qershia mbi tortë, është PD”, theksoi ai./ad
