Fenomeni klimatik El Nino ka hyrë zyrtarisht në fazën e tij aktive dhe shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat nuk do të ndihen vetëm në tokë, por edhe në oqeanet e planetit. Sipas ekspertëve të NOAA-s, rritja e temperaturës së ujërave me vetëm 1-2 gradë Celsius mund të shkaktojë dëme serioze në ekosistemet detare. Më 11 qershor, NOAA konfirmoi fillimin e sezonit të El Nino. Ndërsa vëmendja publike është përqendruar kryesisht te ndikimi i tij në mot, ekonomi dhe shëndetin global, klimatologët theksojnë se oqeanet mund të përballen me pasoja po aq të rënda. Një nga efektet më të dukshme të El Nino është rritja anormale dhe afatgjatë e temperaturës së ujit, e njohur si “valë e nxehtësisë detare”. Gjatë këtij fenomeni, një zonë e gjerë e Paqësorit pranë brigjeve të Ekuadorit, që shtrihet për rreth 10 mijë kilometra, ngrohet me 1 deri në 2 gradë Celsius mbi normalen. Edhe pse kjo rritje duket e vogël, ndikimi i saj mund të jetë shkatërrues. Temperaturat më të larta përshpejtojnë metabolizmin e shumë llojeve të peshqve, duke i detyruar të konsumojnë energji më shpejt sesa mund ta kompensojnë përmes ushqimit. Në raste ekstreme, kjo çon në ngordhjen e tyre. Një valë e mëparshme e nxehtësisë detare uli me rreth 70% popullatën e merlucit të Paqësorit në Gjirin e Alaskës. Pasojat nuk kufizohen vetëm te peshqit. Koralet zbardhen dhe humbasin aftësinë për të mbijetuar, algat detare zhduken, ndërsa gjitarët detarë shpesh përfundojnë të bllokuar në brigje. Një studim i publikuar në vitin 2023 nga klimatologu Dillon Amaya dhe kolegët e tij zbuloi se valët e nxehtësisë detare nuk prekin vetëm sipërfaqen. Ato mund të depërtojnë edhe në thellësi të mëdha, ku shpesh janë më intensive dhe zgjasin më shumë. Kur kombinohen me El Nino, këto valë të nxehtësisë mund të dëmtojnë rëndë organizmat që jetojnë në fundin e oqeaneve, duke kërcënuar ekosisteme të tëra detare.
Çfarë pritet deri në fund të vitit 2026?
Sipas parashikimeve më të fundit të NOAA-s, ndërsa El Nino forcohet gjatë verës dhe vjeshtës, pritet formimi i disa valëve të mëdha të nxehtësisë detare. Temperaturat e dëmshme mund të prekin pothuajse gjysmën e oqeaneve të botës deri në fund të vitit 2026. Zonat më të rrezikuara janë brigjet e Kalifornisë dhe Meksikës, por temperaturat anormalisht të larta mund të godasin edhe pjesë të Oqeanit Indian dhe disa rajone të Oqeanit Antarktik, duke shtuar presionin mbi jetën detare në shkallë globale./kb
