Një grup ligjvënësish demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve i dërguan të enjten, 19 shkurt, një letër miliarderit të teknologjisë, Elon Musk, duke e kritikuar për publikimin e një mjeti “të papranueshëm” me chatbotin e tij të inteligjencës artificiale, Grok, i cili ka krijuarimazhe ose video që shfaqin njerëz në situata intime, pa pëlqimin ose dijeninë e tyre.
Tre demokratë nga Komiteti për Energjinë dhe Tregtinë i përfshinë në letër një listë pyetjesh për Musk dhe startup-in e tij të IA-së, xAI, lidhur me këtë mjet që hiqte rrobat në imazhe.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për imazhet seksuale, veçanërisht të fëmijëve”, shkruanin ligjvënësit.
“Këto postime të pahijshme vendosin gratë, burrat dhe fëmijët në rrezik të madh”, shtohet më tej. Letra u nënshkrua nga përfaqësuesit Frank Pallone, Jan Schakowsky dhe Yvette Clarke. Ajo i kërkon Musk të përgjigjet deri më 5 mars për një listë prej 11 pyetjesh.
Musk dhe xAI nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës. Musk tha se nuk ishte në dijeni që Grok po gjeneronte imazhe të të miturve të zhveshur dhe theksoi se Grok “nuk do të prodhojë më asgjë të paligjshme.”
Qeveritë e tjera në mbarë botën kanë kërkuar shpjegime për krijimin e këtyre imazheve nga Grok dhe publikimin e tyre në rrjetin social të Musk, “X”.
Bashkimi Europian nisi një hetim formal muajin e kaluar, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka qenë duke hetuar “X”. Autoritetet në Australi, Brazil, Kanada, Indi dhe vende të tjera gjithashtu shprehën shqetësim.
Mjeti i gjenerimit të imazheve Grok ka nxitur shumë reagime nga përdoruesit dhe autoritetet, duke përfshirë shqetësimin se lejon ngacmime online dhe krijimin e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.
Sipas një analize nga studiuesja e deepfake, Genevieve Oh, muajin e kaluar Grok po gjeneronte mijëra imazhe seksuale çdo orë duke përdorur fytyrat e personave të vërtetë dhe i postonte ato në “X”.
Grok ka marrë kritika edhe nga republikanët.
Mjeti gjenerues i imazheve Grok filloi të tërhiqte vëmendje në janar, me raporte që po prodhonte imazhe seksuale të grave dhe të të miturve. Pas reagimeve të para, kompanitë e Musk kufizuan disa aksese në X, por përdoruesit ende mund të përdornin aplikacionin dhe faqen e veçantë të Grok.
Musk, në një postim të muajit të kaluar në “X”, fajësoi përdoruesit e Grok për çdo problem./kb
