Mbrëmja e kaluar, kur Shqipëria “shkëlqeu” përballë Jordanisë, ka qenë mjaft speciale për futbollistin më “jetëgjatë” të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Më 14 tetor 2025, mbrojtësi shkodrani u bë lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Kombëtares shqiptare, duke arritur shifrën rekord prej 94 ndeshjesh dhe duke kaluar edhe rekordmenin Lorik Cana.
Në miqësoren me Jordaninë, Silvinjo vendosi që ta aktivizonte Hysajn në minutën e 77-të, duke e futur zyrtarisht në librin e rekordeve të kuqezinjve.
Aktualisht pjesë e Lazios në Serinë A, Elseid Hysaj ka qenë titullar i vazhdueshëm në shumë kompeticione ndërkombëtare. Kontributi i tij ka qenë vendimtar në arritjet historike të Kombëtares, përfshirë pjesëmarrjen në Euro 2016 dhe Euro 2024.
Me këtë rekord, Hysaj përforcon statusin e tij si një prej lojtarëve më të rëndësishëm në historinë e futbollit shqiptar. /K.M
