Last Updated on 21/09/2025 by adminfjala

Nga Leonard Veizi
Nuk di pse në ëndrrën e gjumit të drekës shihja fshatarë që me gëzim të madh mblidhnin domate, tranguj e kunguj dhe arkat e mbushura zinin vend në karocerinë e një trajleri të gjatë. Hajde ëndërr hajde, si kapitujt e negociatave me BE-në. Po fundja ëndrra janë, bëjnë vaki dhe nuk dalin…
Ndërkohë, nga larg më erdhi zëri urdhërues i gruas:
– Ngrehu, se kam nevojë për ty.
Isha akoma në ëndër apo isha zgjuar. Gjë s’po kuptoja. Se ndonjëherë ëndrra dhe realiteti bëhen aq bashkë sa ti nuk e kupton. Ndaj duhet të pickosh veten që të hidhesh përpjetë nga dhimbja.
– Ç’ka ndodhur? – e pyeta në mjegullën e përgjumjes.
– Do shkojmë të bëjmë pazar.
Pikë e zezë.
Hapa sytë dhe pashë gruan të veshur e bërë gati, me trastat bosh në dorë.
– Hajër, inshalla! – ia pata, duke shkundur kokën.
– Po hë, ngrihu, se kam dy sahat që të pres.
Nuk isha më në ëndërr. Kisha kaluar në realitetin objektiv.
– Po ç’është gjithë kjo axhele? – pyeta i hutuar dhe u shtriqa edhe pak. – Nuk ra sheqeri në ujë e u tret.
– Ore, je në këtë qeveri ti? – shqeu sytë gruaja. – A i sheh lajmet? A jeton me situatën?
U trondita. Po të arrinte puna që gruaja të më përmendte lajmet, atëherë duhej të ishte keq situata. Se unë nuk lija edicion lajmesh pa parë, që në 07:00 të mëngjesit, kur lexoheshin titujt e gazetave dhe portaleve e deri ne mesnatë.
– Ç’lajme? Mos ndoshta ndonjë atentat andej nga Shkodra? Apo ka shkrepur në Fier këtë herë?
– Mendjen te pushka ti! – u nervozua gruaja. – Jo, jo, s’ka ardhur puna deri aty. Por Kroacia paska kthyer mbrapsht 10, a 15… a 20 ton domate shqiptare.
– Po pse, o i raftë pika?
M’u dhimsën domatet
– Sepse kishin pesticide. I kishin dendur fermerët tanë, – më sqaroi sakaq gruaja.
Mu kujtua ëndrra.
– Për cilët fermerë e ke fjalën, për fshatërët e Ndroqit apo të Zboqit?
– Hidhe një grusht ujë të ftohtë syve, të të dalë gjumi! – më urdhëroi gruaja. – Po flet përçart më duket.
Bëra siç tha dhe u ftillova disi.
– Po Kroatët me një të pame e kuptuan që domatet tona kishin pesticide? Apo i nuhatën? Se e kanë hundën e hollë ata.
Unë pyesja, gruaja përgjigjej:
– Jo, jo. E nxorri laboratori. Laboratori i tyre kuptohet, se për këtë tonin gjithçka ishte okej.
Pra, kjo do të thoshte se Kroatët kishin laboratorë të mirë. Bravo u qofte.
– Po prodhimi ynë? Demek, malli shqiptar shkoi dëm? – pyeta unë si shqiptar që më dhimbet djersa e shqiptarëve që kishin punuar, prashitur e ujitur, dhe sperkatur domatet me pesticide deri ne palcë.
– Mos fli më në drekë se ka filluar të të bëjë dëm, – më ndërpreu gruaja. – Me shumë gjasa domatet janë hedhur në tregun tonë. Kush e le mallin të iki kot? Tezgat janë mbushur plot, çmimi ka rënë. Ja ku i kemi përpara: çdo ditë blejmë e hamë pesticide, me çmim të lirë!
-Për domatet e ke fjalën???
-E…
– Luj moj vendit! Po pse s’ma the më parë?
Po më vinte për të vjellë. Le që në drekë kisha ngrënë dhe një pjatë sallatë domatesh që isha knoq. Ptu… jazëk u qoftë.
– Lëri fjalët e vishu. Sapo dëgjova këshillat e një profesori të njohur. Një farë… Pa… jo La… jo Ra… se ia harrova dhe emrin tani.
– E ç’tha profesori? – pyeta unë në makth e sipër.
– “Merrni masa. Sode e uthull për të larë frutat e zarzavatet, që të ulet niveli i pesticideve.” Ja këto tha.
– Burrë i mençur! – ia mbështeta edhe unë.
Dhe kështu u vulos vendimi: gati për pazar.
– Them të shkojmë te tregu i shumicës, – dhashë mendimin unë. – Do marrim nga ai thesi 20 kilosh i sodës, se 50-kilëshin nuk ma mban kurrizi.
– Ç’thua ore. Çështë ky thes? Një kile sodë do marrim, edhe një bidon uthull! So po na shkojnë domatet dyfishi i çmimit.
Unë mbeta pa fjalë. Për një bidon uthull gjithë ky alarm… Kot më zgjove nga gjumi, mendova. Të kisha fjetur edhe ca, se më mbeti në mes ajo ëndrra e bukur me domate, tranguj e kunguj që fshatarët i mblidhnin gjithë gëzim dhe i rasnin në kamion në karocerinë e të cilit shkruhej me gërma të mëdha: “Albania – International Transport”.
Kot thonë që ëndrrat e drekës nuk dalin.
