Nga Leonard Veizi
Më 24 gusht 1941, Adolf Hitleri urdhëroi ndërprerjen zyrtare të programit “T4”. Nuk ishte një krizë ndërgjegjeje. Ishte një krizë imazhi…
…Operacioni i vrasjes sistematike të njerëzve me sëmundje mendore, me aftësi të kufizuara dhe i atyre që regjimi i quante “jetë të padenja për t’u jetuar” – lebensunwertes Leben – ishte bërë shumë i dukshëm. Familjet dyshonin. Letrat e rreme ngushëllimi nuk bindnin më. Një peshkop katolik, Clemens August von Galen, kishte guxuar të fliste hapur në Münster kundër një krimi që shteti e mbante të fshehtë.
Regjimi nuk u pendua. U tërhoq për t’u rishfaqur ndryshe.
Krimi
“T4” nuk filloi në një dhomë torture. Filloi në një zyrë. Emri vinte nga adresa burokratike: Tiergartenstraße 4, Berlin. Aty, mjekë, psikiatër, juristë dhe nëpunës plotësonin formularë. Regjistronin, kategorizonin, vlerësonin. Një kryq mbi një fletë vendoste nëse një njeri do të jetonte apo do të dërgohej në një nga gjashtë qendrat e vrasjes: Hartheim, Bernburg, Sonnenstein, Grafeneck, Brandenburg, Hadamar.
Viktimat nuk ishin armiq. Nuk ishin ushtarë. Ishin pacientë. Fëmijë që nuk kuptonin pse po i merrnin nga shtrati. Të rritur që kishin jetuar prej vitesh në spitale dhe azile. Njerëz që shteti i kishte nën kujdes dhe i vrau pikërisht sepse ishin të pambrojtur.
Metoda ishte industriale: transport i organizuar, dhoma gazi të maskuara si dushe, krematoriume, certifikata false vdekjeje me diagnoza si “pneumoni” apo “infarkt”.
Mes viteve 1940-1941, vetëm programi i centralizuar vrau rreth 70 mijë njerëz. Por 24 gushti nuk e ndali krimin. E decentralizoi. Pas urdhrit, vrasja vazhdoi me uri të qëllimshme, mbidoza, injeksione vdekjeprurëse dhe neglizhencë të programuar. Bilanci total i politikës naziste të eliminimit të personave me aftësi të kufizuara shkon në mbi 200 mijë jetë të marra.
Këtu është mësimi i parë që nuk duhet harruar: një shtet modern nuk ka nevojë për njerëz të çmendur për të kryer një krim masiv. I mjaftojnë njerëz normalë që pranojnë të mendojnë si funksionarë.
Pyetjet
“T4” është i rëndësishëm jo vetëm për numrin e viktimave, por për pyetjen që shtron.
Si arriti një nga shoqëritë më të shkolluara të Evropës, me universitete, spitale dhe gjykata, të pranojë idenë se shteti mund të vendosë se cila jetë vlen dhe cila jo?
Përgjigjja nuk është misticizëm nazist. Është logjika e zhveshur nga morali. Mjafton që mjeku të mos pyesë më “Si ta shëroj këtë njeri?”, por “Sa kushton ta mbajmë gjallë?”. Mjafton që administratori të mos shohë një pacient, por një “kosto për komunitetin”. Mjafton që juristi të mos shohë një qytetar, por një “rast social”. Mjafton që shoqëria të mësohet me gjuhën që e ndan njeriun në “të aftë” dhe “të padobishëm”.
Kur njeriu reduktohet në kosto, eliminimi i tij fillon të duket si racionalitet ekonomik. Kur sëmundja shndërrohet në kategori, vrasja shndërrohet në procedurë.
Nazizmi nuk e shpiku përbuzjen ndaj të dobëtit. Ai e ktheu atë në ligj, në buxhet dhe në formular.
Laboratori
“T4” nuk ishte një episod anësor i nazizmit. Ishte prova gjenerale. Personeli që mësoi të vriste me gaz në Hadamar dhe Hartheim u transferua më vonë në lindje, për të ndërtuar Treblinkën, Sobiborin dhe Belzecin. Teknikët e vdekjes, mjekët që firmosnin vdekje false, shoferët që transportonin viktimat – e gjithë zinxhiri u riciklua për shfarosjen e hebrenjve të Evropës. Kush pranon që shteti të vrasë të sëmurët, ka pranuar tashmë parimin që do t’i lejojë nesër të vrasë këdo që e shpall “të tepërt”.
Prandaj data 24 gusht 1941 nuk duhet mësuar si “dita kur Hitleri ndali T4”. Duhet mësuar si dita kur një shtet kuptoi se kishte kaluar një kufi që as vetë propaganda e tij nuk e mbulonte dot më.
Kufiri
Historia e “T4” nuk na kërkon vetëm të kujtojmë viktimat. Na kërkon të ruajmë një kufi. Kufiri është kjo pyetje: Kush ka të drejtë të vendosë se sa vlen jeta jote?
Në momentin kur këtë pyetje e merr përsipër shteti, kur dinjiteti kthehet në dosje, kur njeriu matet me dobinë, me koston, me produktivitetin, me racën apo me aftësinë, liria ka vdekur para njeriut.
Barbaria rrallë fillon me një armë që shkrep. Shumë më shpesh fillon me një fjali që pranohet në heshtje: “Ka njerëz që vlejnë më pak.”
Në atë moment, dhoma e gazit nuk është ndërtuar ende. Por leja për ta ndërtuar është dhënë.
