Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Ai theksoi se ato madje duhet të përdorin mbase edhe sanksione apo ta ndalin shitjen e armëve në Izrael.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, i është bashkuar bisedimeve për armëpushim si ndërmjetëse, pasi më parë ishte përfshirë kryesisht tërthorazi.
Roli i saj i shtuar erdhi pas një takimi muajin e kaluar ndërmjet Erdoganit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
“Si Turqi, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta siguruar armëpushimin. Hamasi po e respekton armëpushimin dhe madje po e shpreh haptas zotimin e saj për këtë. Ndërkohë, Izraeli po vazhdon ta shkelë armëpushimin”, tha Erdogan për gazetarë.
“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë më shumë për të siguruar që Izraeli i zbaton plotësisht armëpushimin dhe marrëveshjen”, tha ai, sipas një komunikate nga zyra e tij të premten.
“Izraeli duhet të detyrohet t’i mbajë premtimet e veta përmes sanksioneve dhe ndalimit të shitjeve të armëve”, sipas tij.
Ankaraja ka thënë se do t’i bashkohet një “task-force” që do ta mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të shërbejnë në kapacitete ushtarake apo civile sipas nevojës.
Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e enklavës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli e kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës. m.p.
