Last Updated on 07/07/2026 by Anisa
Nga Monada Mehmetaj
Situata politike në Shqipëri dhe rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian kanë përfshirë së fundmi edhe debatet në korridoret e Parlamentit Evropian. E ashtuquajtura “lëvizja flamingo”, e cila nisi si një revoltë qytetare ndaj projekteve të debatueshme imobiliare të lidhura me rrethin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka marrë tashmë përmasat e një kauze të pastër politike.
Në një prononcim ekskluziv për gazetën Fjala.al, bashkë-kryetarja e grupit parlamentar të Së Majtës në Parlamentin Evropian (The Left / GUE-NGL), eurodeputetja franceze Manon Aubry, ka ndarë qëndrimin e saj të prerë mbi zhvillimet e fundit në Tiranë dhe perspektivën evropiane të vendit. E njohur për profilin e saj të ashpër në mbrojtje të mjedisit, të drejtave sociale dhe kritikave ndaj projekteve të mëdha kapitaliste, Aubry nuk ka kursyer as kritikat ndaj liderëve evropianë për qasjen e tyre selektive ndaj lëvizjeve demokratike.
Përshëndetje të nderuara zonja… nga Shqipëria, nga gazeta Fjala.al. Kam një pyetje për zonjën Aubry. Cili është mendimi juaj për situatën politike në Shqipëri gjatë muajve të fundit, dhe cili do të jetë qëndrimi i grupit tuaj politik lidhur me anëtarësimin [e Shqipërisë]në Bashkimin Evropian?
“Fillimisht, kjo nisi si një lëvizje kundërshtimi dhe refuzimi ndaj një projekti imobiliar të mbështetur nga klanet e Trump-it, por sot është shndërruar në një revolucion politik që i tejkalon gjerësisht përmasat e atij projekti. Siç dihet, ky projekt nuk ka më asnjë arsye ekzistence, aq më tepër kur udhëhiqet nga një person i afërt me Trump-in.
Megjithatë, më duhet të them se dalloj një lloj ngurrimi nga ana e liderëve evropianë për të mbështetur këtë lëvizje qytetare. I kemi parë ata shumë më pak ngurrues kur bëhej fjalë për lëvizje të ngjashme shoqërore në shtete të tjera. Madje, në emër të grupit tonë parlamentar, ne kërkuam që të zhvillohej një debat mbi ‘revolucionin e flamingove rozë’—siç po quhet tashmë—në Shqipëri. Më vjen keq që nuk u arrit shumica e votave dhe që grupet e tjera nuk e mbështetën këtë kërkesë, pasi mendoj se është detyra jonë si evropianë të përkrahim lëvizjet demokratike. Dhe unë besoj fort se lëvizja që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri është thellësisht demokratike.
Tani, sa i përket zgjerimit dhe mundësisë që Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian: Pozicioni i grupit tonë ka qenë gjithmonë i prerë dhe i njëjtë, pavarësisht se cili shtet kërkon të anëtarësohet. Ne nuk jemi parimisht kundër, por vendosim si kusht parimin e harmonizimit social, fiskal dhe mjedisor. Kjo bëhet me qëllim që rregullat evropiane të mos pësojnë rënie dhe që të mos përballemi me një valë të gjerë ‘konkurrence të pandershme.’
Nuk jam e sigurt nëse këto kritere plotësohen në këtë moment, por besoj se në afatgjatë, vendi i Shqipërisë është padyshim në Bashkimin Evropian. Kjo, kuptohet, nëse vetë Bashkimi Evropian dëshiron t’i bëjë vend asaj, tregon maturi për të kuptuar natyrën e vërtetë të lëvizjeve shoqërore dhe nuk mbyll sytë përballë shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut që po ndodhin aktualisht” , deklaroi eurodeputetja Manon Aubry.
