Një rrjet ndërkombëtar i mashtrimeve me investime, i cili dyshohet se ka shkaktuar humbje prej mbi 4 milionë eurosh, është goditur në një operacion të koordinuar nga autoritetet ndërkombëtare, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.
Sipas njoftimit të Eurojust, gjatë fazës së fundit të operacionit janë kontrolluar 17 lokacione, janë sekuestruar më shumë se 100 serverë dhe janë arrestuar shtatë persona, për të cilët është kërkuar dorëzimi ose ekstradimi drejt Gjermanisë.
Hetimet kanë zbuluar edhe një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se u siguronte grupeve kriminale faqe interneti mashtruese, duke ofruar shërbime të paligjshme në formën e modelit të njohur si “krimi si shërbim”.
Në kuadër të hetimeve, dyshohet se klientë të kësaj kompanie në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut kanë operuar qendra të thirrjeve (Call Center), përmes të cilave realizoheshin mashtrimet me investime.
Ky zhvillim lidhet me aksionin policor të zhvilluar sot në Kosovë, ku njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kanë kryer bastisje në disa lokacione, përfshirë edhe lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Autoritetet kosovare kanë konfirmuar se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të plota për personat apo subjektet e përfshira në kontrollet e zhvilluara në Kosovë.
