Last Updated on 24/10/2026 by Monika
Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje protestës së studentëve në Tiranë dhe zhvillimeve politike në vend. Euronews raporton për rritjen e tensioneve në kryeqytet, pasi mbështetës të opozitës dogjën jastëkë simbolikë para Kryeministrisë, përpara se të marshonin drejt Ministrisë së Arsimit, ku ishte paralajmëruar edhe një protestë e studentëve.
Sipas Euronews, mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën për rreth një orë e gjysmë para zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku u vunë flakën jastëkëve që kreu i qeverisë kishte vendosur si një ftesë simbolike për dialog me studentët.
Pas kësaj, protestuesit u drejtuan për te Ministria e Arsimit, ku studentët kishin njoftuar një tubim në orën 14:00. Në protestë pritej të merrnin pjesë edhe pedagogë të universiteteve.
Policia shton masat e sigurisë
Euronews thekson se, në prag të protestës së studentëve, forcat e sigurisë shtuan praninë pranë Ministrisë së Arsimit. Në zonë u dislokuan një autobot me ujë dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), pas thirrjeve në rrjetet sociale për pjesëmarrje në demonstratë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka pranuar se në vend ka pakënaqësi në rritje dhe ka deklaruar se qeveria po përgatit një përgjigje ndaj shqetësimeve të shprehura përmes protestave.
“Brenda pak orësh apo ditësh, do të paraqesim reflektimin tonë të përgjithshëm mbi atë që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë po përpiqet të na përcjellë”, citohet të ketë thënë Rama, duke shtuar se mbështetja e publikut për protestat tregon dëshirën që qeveria të jetë më e vëmendshme ndaj qytetarëve.
Megjithatë, kreu i qeverisë ka paralajmëruar një reagim të qëndrueshëm të shtetit ndaj çdo akti dhune, duke deklaruar se personat që e nxisin, e përkrahin apo e ushtrojnë atë duhet të kuptojnë se edhe përgjigjja e autoriteteve do të jetë e vazhdueshme.
Zhvillimet në Tiranë vijnë në një klimë mobilizimi politik dhe shoqëror, me mbështetës të opozitës dhe studentë që zhvillojnë protesta të ndara, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës./mxh
