UEFA ka publikuar kalendarin e fazës së ligës për sezonin e ri të Europa League, me Milanin dhe Juventusin që do të jenë ndër skuadrat kryesore në garën për trofeun.
Kompeticioni do të nisë më 16 dhe 17 shtator, ndërsa faza e ligës do të përfundojë më 28 janar 2027. Çdo skuadër do të zhvillojë tetë ndeshje, katër në shtëpi dhe katër në transfertë.
Milani do ta nisë aventurën në shtëpi, përballë Benfica-s në “San Siro”, ndërsa Juventusi do të debutojë një ditë më vonë, duke pritur NEC.
Në javën e dytë, Milani do të udhëtojë në Austri për t’u përballur me Salzburgun, ndërsa Juventusi do të luajë në Spanjë ndaj Celta Vigos.
Në raundin e tretë, “Kuqezinjtë” do të përballen në transfertë me Bournemouth, ndërsa Juventusi do të presë Rennes. Më pas, Milani do të ketë në shtëpi Ferencvarosin, ndërsa bardhezinjtë do të udhëtojnë në Holandë për sfidën me AZ Alkmaar.
Në javën e pestë, Milani do të luajë në Athinë ndaj Olympiacosit, ndërsa Juventusi do të presë Omonian. Në raundin pasues, kuqezinjtë do të presin Sunderlandin, ndërsa Juventusi do të përballet në transfertë me Hapoel Beer Sheva.
Dy ekipet italiane do ta mbyllin fazën e ligës më 28 janar 2027. Milani do të presë Ararat-Armenia, ndërsa Juventusi do të luajë në shtëpi ndaj Real Sociedad.
Formati i ri parashikon që tetë skuadrat e para të renditjes të kualifikohen direkt në fazën e 1/8-ve, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të luajnë në play-off./mxh
