Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi Lezhën, duke rikthyer në vëmendje plagën e vjetër të gjakmarrjes. Një ditë më parë, një atentat i përgjakshëm u regjistrua në Balldren ku me breshëri plumbash u ekzekutuan në mjetin e tyre bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.
Familjarët kanë hapur dyert e mortit dhe po përgatiten t’u japin lamtumirën e fundit dy prindërve të katër fëmijëve të mitur. Përmes rrjeteve sociale, ata kanë bërë me dije se ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e nesërme në fshatin Mali Kolaj.
Kujtojmë se atentati ndodhi mesditën e së dielës, ku ndaj automjetit me të cilin udhëtonte çifti u qëllua me breshëri plumbash, duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi.
Ndërkohë, janë publikuar edhe fotot e dy prej personave të dyshuar si autorë të krimit, Florin Mhillaj dhe Renato Mhillaj. I dyshuari i tretë është Adriano Mhillaj , icili së bashku me dy anëtarët e tjerë të fisit të tij janë shpallur në kërkim nga policia.
Sipas burimeve hetimore dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka zgjatur pak më shumë se një minutë. Autorët, të cilët nuk mbanin maska, kanë vepruar me gjakftohtësi të plotë, duke organizuar një pritë të mirëplanifikuar.
Hetimet paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një konflikt të vjetër me motive hakmarrjeje. Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillaj, ndërsa Adriano dhe Florini janë nipat e këtij të fundit. Ky i fundit u vra në vitin 2016, në një ngjarje për të cilën u akuzuan Kreshnik Mujeci dhe vëllezërit e tij.
Sipas policisë, pista kryesore është ajo e gjakmarrjes, pasi dyshohet se autorët kanë synuar të marrin hak për vrasjen e ndodhur një dekadë më parë. Ngjarja e atëhershme kishte ndodhur në zonën e Shkodrës, ku pas një konflikti të çastit, Genc Mhillaj u qëllua për vdekje.
Megjithëse drejtësia i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për mungesë provash në vitin 2018 dhe Apeli la në fuqi vendimin një vit më pas, çështja u rikthye për rigjykim në vitin 2024 nga Gjykata e Lartë. Pavarësisht kësaj, duket se konflikti mes familjeve nuk u shua kurrë./et
