Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Ministria e Financave vlerëson se fondet IPARD të Bashkimit Europian për bujqësinë do të zhbllokohen brenda këtij viti. Ministri Petrit Malaj sqaroi edhe hapat e mëtejshëm që pritet të hidhen pas dorëzimit të paketës së akreditimit sipas kushteve të përcaktuara nga Komisioni Europian.
“Ne presim komentet e tyre në aspektin e sugjerimeve që ata mund të kenë. do të ketë edhe një grup besoj nga Komisioni Evropian që do të vijnë dhe do të bëjnë një vlerësim të gjitha strukturave të cilat menaxhojnë fondet”, tha ai.
Ministri i Financave, Petrit Malaj tregoi edhe mbi planet për zgjerimin e investimeve publike të cilat pritet të arrijnë në nivelin e 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto deri në vitin 2028. “Modeli ekonomik është i bazuar në katër shtylla kryesore. Ka të bëjë me rritjen ekonomike, uljen e borxhit, rritjen e investimeve të huaja direkte dhe atyre të brendshme. Ne planifikojmë që deri në vitin 2028 të kemi investime publike, pra investime në infrastrukturë, ujësjellësa që të jetë sa 6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Malaj.
Me krizën e çmimeve në horizont, Ministria e Financave është gati të ndërhyjë duke mbështetur shtresat më të varfra në rast të “një vale të fortë inflacioni”. “Ne do të duhet të mbajmë në monitorim inflacion dhe vetëm në rast se do të kemi shtrenjtim të konsiderueshëm veçanërisht produkteve të shportës do të ndërhyjmë për të ndihmuar shtresat më vulnerabël”, tha Malaj.
Ministria e Financave rritja ekonomike për këtë vit të jetë në nivelin 4 për qind, shifër kjo disi më optimiste se parashikimet e Bankës Botërore apo Fondit Monetar Ndërkombëtar./mxh
