Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një test të ri gjaku që mund të ndihmojë në zbulimin e shenjave të sëmundjes së Alzheimerit, duke e bërë diagnostikimin më të aksesueshëm për pacientët.
Testi, i quajtur Elecsys Phospho-Tau (217P) Plasma, është zhvilluar nga Roche në bashkëpunim me Eli Lilly and Company dhe synon të përdoret te personat mbi 55 vjeç që shfaqin shenja të rënies njohëse.
Ai mat në gjak një proteinë të quajtur pTau217, e cila lidhet me grumbullimin e proteinës amiloide në tru, një nga shenjat karakteristike të Alzheimerit.
Deri më tani, diagnostikimi i sëmundjes shpesh kërkonte ekzaminime të kushtueshme si skaneri PET ose procedura më invazive. Testi i ri realizohet përmes një analize të thjeshtë gjaku dhe mund të integrohet në laboratorët ekzistues, duke e bërë vlerësimin më të lehtë dhe më të shpejtë.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore theksojnë se testi nuk mund të përdoret i vetëm për vendosjen e diagnozës, por duhet të interpretohet së bashku me vlerësime të tjera klinike. Miratimi i tij shihet si një hap i rëndësishëm drejt zbulimit më të hershëm të Alzheimerit dhe trajtimit në fazat e para të sëmundjes./ad
