Revista Vanity Fair ka publikuar listën e saj të përvitshme me 70 personazhet që spikasin për stilin dhe elegancën e tyre në vitin 2026. Mes emrave të njohur të modës dhe kulturës, këtë herë është përfshirë edhe Papa Leo XIV.
Udhëheqësi 70-vjeçar i Kishës Katolike është vlerësuar jo vetëm për veshjen tradicionale papnore, por edhe për detajet e veçanta që e dallojnë stilin e tij personal.
Një prej tyre është zbuluar në një dokumentar të realizuar nga Vatikani, ku Papa shfaqet për pak sekonda me atlete Nike, të veshura poshtë rrobave të bardha papnore. Korrespondenti i modës i Vanity Fair e ka përshkruar këtë detaj si një shenjë të “stilit të lindur amerikan” të Papës.
Por atletet nuk janë i vetmi element që ka tërhequr vëmendjen. Leo XIV duket se ka një preferencë të veçantë për veshjet e punuara me dorë dhe aksesorët vintage, duke kombinuar traditën me elemente më personale dhe moderne.
Në garderobën e tij spikat edhe një orë zvicerane me kuarc, tashmë jashtë prodhimit, si dhe çanta të vjetra që ai vazhdon t’i përdorë prej vitesh. Një tjetër detaj i pazakontë është një kapelë bejsbolli e Chicago White Sox, e cila është parë e vendosur mbi kapelen papnore.
Kjo përzierje mes veshjeve tradicionale, objekteve vintage dhe elementeve të stilit amerikan e ka bërë Papa Leo XIV një prej figurave më të veçanta në listën e Vanity Fair, duke e renditur mes 70 njerëzve më elegantë të vitit 2026./ad
