Nga Auron Tare
Unë e kam shtëpinë në rrugën e Myslym Shyrit. Është një pallat i ndërtuar në periudhën e vështirë të rënies së komunizmit dhe të tranzicionit të gjatë shqiptar. Im atë, sportist i njohur, së bashku me një grup sportistësh të klubit Partizani, pas shumë vështirësish, arritën të ndërtonin karabinanë e pallatit, pasi ngjarjet e vitit 1992 e kishin lënë ndërtimin përgjysmë.
Të gjithë komshinjtë tanë e ndërtuan shtëpinë me mundime të mëdha, në ato kohë kur mungonte pothuajse gjithçka. Ndërsa pallati ynë merrte formë, në hapësirën ku ishte parashikuar të krijohej një lulishte e brendshme, një përzierje e fortë zyrtarësh të korruptuar dhe banditësh arriti të ngrinte një tjetër pallat, të shëmtuar, pikërisht në zemër të asaj që duhej të ishte një hapësirë e gjelbër.
Që nga ajo kohë, kjo zonë është kthyer në një model të qartë të tranzicionit shqiptar. Një pallat i ndërtuar copë-copë, me mundime dhe sakrifica, prej më shumë se tridhjetë vjetësh bashkëjeton me një tjetër pallat, i cili nuk duhej të ishte ngritur kurrë aty.
Por problemi nuk është vetëm te betonizimi, as te shëmtia e një ndërtimi që zuri vendin e një lulishteje. Problemi është se, ndërsa banorët e dy pallateve janë detyruar të bashkëjetojnë me këtë realitet, dy breza fëmijësh kanë lindur dhe janë rritur në një mjedis ku nuk ka asnjë pemë, asnjë metër bar dhe, ç’është edhe më e tmerrshme, asnjë hapësirë ku të luajnë. As me kukulla, as me top.
Përfytyroni dy breza fëmijësh që lindin dhe rriten në një parking gjigant. Një hapësirë ku çdo mbrëmje prodhohen nervozizëm, sherre për vendet e parkimit, fyerje dhe mallkime ndaj atyre që lejuan këtë katrahurë.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo skenë e përditshme dhune mjedisore, një tjetër pallat, këtë herë njëzetkatësh, po ngrihet në fund të rrugicës sonë. Kështu, përveç fatit të trishtë të fëmijëve që janë rritur mes makinave, betonit dhe mungesës së gjelbërimit, tani edhe makineritë e rënda, kamionët me beton dhe hekurishte të tjera ua bëjnë rrugët të pasigurta.
Prandaj, tani qe po shoh të rinj që revoltohen, që bërtasin dhe që hedhin gurë, të indinjuar ndaj një klase politike të paaftë për t’u krijuar fëmijëve një fëmijëri normale, mendja më shkon te fëmijët e lagjes sime.
Çfarë mund të presësh nga Ata që janë rritur në një parking, ku mungojnë pema, bari, lodrat, hapësira e lojës dhe, mbi të gjitha, ndjesia se nje force madhore qe e ka per detyre te kujdeset I ka lene te rriten ne nje parking makinash.
Andaj, sot kur shohim të rinj të zemëruar qe hedhin gur ndaj “shetit te tyre” I quajmë të dhunshëm, të papërgjegjshëm. Por rrallë pyesim veten se çfarë fëmijërie u kemi ofruar, çfarë hapësirash u kemi lënë, çfarë shembulli u kemi dhënë dhe çfarë respekti kemi treguar për të drejtën e tyre për t’u rritur si fëmijë?
Përpara se të dënojmë zemërimin e të rinjve, duhet të kemi kurajën të shohim botën që ne vetë kemi ndërtuar për ta.
Sepse një fëmijë nuk ka nevojë vetëm për një çati mbi kokë. Ka nevojë për një pemë ku të gjejë hije, për një copë bar ku të ulet, për një hapësirë ku të vrapojë pas topit dhe për një lagje ku të ndihet i lirë dhe i sigurt.
Ne ua morëm këto gjëra. Ua morëm në emër të betonit, të fitimit dhe të një pushteti që nuk pa përtej interesit të vet.
Dhe pastaj habitemi pse janë të zemëruar.
Prandaj përpara se të pyesim se përse të rinjtë tanë hedhin gurë ndaj Pushtetit, duhet të pyesim veten se kush ua vodhi atyre fëmijërinë.
