Nga Bridget Phillipson*
Shumë të rinj dalin në jetë të papërgatitur siç duhet. Ne do ta ndryshojmë këtë: do t’u japim më shumë të drejta dhe mbështetje atyre dhe familjeve të tyre.
Shfaqja e arsimit plotësisht gjithëpërfshirës. Rritja e moshës së detyrueshme të shkollimit në 16 vjeç. Futja e një kurrikule kombëtare. Secila prej këtyre reformave pasqyroi vlerën në rritje që i dhamë arsimit si shoqëri dhe bindjen gjithnjë e më të fortë se ai ishte thelbësor – jo vetëm për individin, por për vendin – që çdo i ri të kishte mundësinë më të mirë për të pasur sukses.
Mundësitë për të përcaktuar të ardhmen e arsimit nuk vijnë shpesh. Këtë mundësi e kemi këtë javë.
Gjatë dekadës së fundit kemi parë një rritje eksponenciale të numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe aftësi të kufizuara. Dhe, pavarësisht përpjekjeve më të mira të shkollave dhe mësuesve, sistemi ynë nuk ka arritur të rritet me të njëjtin ritëm. Rezultati është një mospërputhje, me një brez të tërë të rinjsh që dalin në botë pa themelet që u duhen për jetën dhe punën.
Kjo duhet të ndryshojë. Kjo qeveri është thellësisht ambicioze për fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta arsimore dhe aftësi të kufizuara, por për ta realizuar këtë ambicie, arsimi duhet të transformohet. Gjatë 18 muajve të fundit kemi zhvilluar qindra orë konsultimesh online dhe ballë për ballë me prindër dhe grupe fushatash në Angli, për t’u siguruar që ndryshimi të formësohet nga ata që do të preken më shumë.
Ne kemi hedhur tashmë themelet. Ka një investim prej 200 milionë paundësh – dhe një kërkesë të re – që çdo mësues të trajnohet si mësues për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore. Gjithashtu, do të ketë një vlerësim të ri për “përfshirjen” si pjesë e raporteve të Ofsted-it, në mënyrë që shkollat të mbahen përgjegjëse për mbështetjen që u japin këtyre fëmijëve, ashtu siç mbahen përgjegjëse për cilësinë e mësimdhënies dhe kurrikulës në përgjithësi. Janë gjithashtu 3.7 miliardë paund për ndërtimin e 60 mijë vendeve të reja shkollore për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe synimi që çdo shkollë e mesme të ketë një bazë përfshirjeje.
Po aq e rëndësishme është edhe investimi ynë për të vendosur një qendër familjare “Best Start” në çdo komunitet, si dhe një ekspert për nevoja të veçanta në secilën prej këtyre qendrave, duke u dhënë prindërve mbështetje dhe këshilla në vitet e para të jetës së fëmijës dhe duke parandaluar përkeqësimin e problemeve.
Tani është momenti për të ndërtuar më tej. Reformat tona do të sjellin një sistem arsimor të panjohshëm krahasuar me atë që kemi sot. Një sistem ku mbështetja e shkëlqyer nuk fshihet më pas shtresave të pafundme konflikti dhe burokracie, por është e disponueshme në klasë, aty ku fëmijët kanë nevojë për të dhe në momentin kur u nevojitet. Do t’u japim familjeve mundësinë të zgjedhin shkollën e tyre lokale pa frikë. Fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta do të kalojnë kohë në klasa me bashkëmoshatarët e tyre, duke përfituar nga pasurimi dhe sfidat akademike, me një hapësirë të specializuar pranë, për ato momente të ditës kur një grup më i vogël do t’u përshtatej më mirë nevojave të tyre.
Pikërisht ky lloj mbështetjeje – që reformat tona do ta bëjnë të disponueshme sipas nevojës – sot shpesh ofrohet vetëm kur fëmija ka një plan arsimor, shëndetësor dhe kujdesi (EHCP). Kjo nuk është e drejtë. Prandaj reformat që po paraqes sot do të sjellin një zgjerim të madh të të drejtave të fëmijëve në Angli, si dhe të mbështetjes që fëmijët me nevoja shtesë dhe familjet e tyre mund të përfitojnë.
Shumë njerëz kanë thënë – përfshirë edhe në këtë gazetë – se mënyra e vetme për ta arritur këtë është përmes investimeve të konsiderueshme të reja. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Për shembull, ka 4 miliardë paund për të forcuar mbështetjen në shkollat e zakonshme, me më shumë fonde për drejtuesit që t’i përdorin për atë që funksionon, si dhe me ekspertë – si terapistë të të folurit dhe gjuhës – të gatshëm aty ku dhe kur shkollat kanë nevojë për ta.
Kjo do të thotë mbështetje e përmirësuar, jo mbështetje e hequr: një moment historik për familjet dhe për arsimin në këtë vend.
Kritikët thonë se vetëm paratë do ta rregullonin këtë sistem të dëmtuar – por mos kini asnjë dyshim: nuk mjaftojnë vetëm paratë. Do të ketë investim, i ndjekur nga reformë, sepse kjo është një qeveri reformash: që rregullon krizë pas krize të lëna pas nga paraardhësit tanë. Vështirë të gjesh një krizë më të madhe se kjo. Çdo prind apo mësues që ka përjetuar sistemin e nevojave të veçanta arsimore do të thotë se ndryshimi është i domosdoshëm. Mosveprimi – apo veprimi që nuk sjell ndryshim të vërtetë – është vetë një zgjedhje, sepse fëmijët me nevoja të veçanta janë zhgënjyer vazhdimisht gjatë 10 viteve të fundit dhe më tej. Tani është koha për ta kthyer situatën.
Kjo është mundësia jonë, si vend, për të sjellë ndryshim të qëndrueshëm për një brez fëmijësh dhe për brezat që do të vijnë. Le ta shfrytëzojmë.
Bridget Phillipson është sekretare e shtetit për arsimin/ Përgatiti për botim: L.Veizi
