Last Updated on 17/08/2026 by EL
Nga Valentina Nika
Dhuna institucionale ndaj fëmijëve është një dështim i thellë pedagogjik, social dhe ligjor i shtetit.
Pamjet nga protestat në Tiranë, ku forcat e rendit përdorën spraj piper dhe gaz lotësjellës në prani apo drejtpërdrejt ndaj të rinjve dhe të miturve, përbëjnë një alarm të rëndë që shkon përtej debatit të ditarit politik.
Si një profesioniste që punoj çdo ditë me formimin e të rinjve, e ndjej detyrë profesionale e qytetare të ngre zërin: dhuna institucionale ndaj fëmijëve është një dështim i thellë pedagogjik, social dhe ligjor i shtetit.
Kur shteti bëhet burim frike: këndvështrimi pedagogjik dhe psikologjik
Për të kuptuar pasojat e këtij trajtimi te brezi i ri, mjafton t’i drejtohemi mendimit të studiuesve më të mëdhenj botërorë të edukimit.
Janusz Korczak (“Fëmija është qytetar sot”): Pedagogu i njohur polak nënvizonte se fëmijët nuk po “përgatiten” për të qenë qytetarë nesër, por e jetojnë qytetarinë sot. Kur policia përdor lëndë kimike ndaj të rinjve, ajo shkel dinjitetin e tyre qytetar. Çfarë modeli demokratik po u ofron shteti, kur përgjigjja e parë ndaj prezencës së tyre në shesh është gazi lotësjellës?
Urie Bronfenbrenner (Cenimi i mjedisit të sigurisë): Sipas Teorisë së Sistemeve Ekologjike, zhvillimi i shëndetshëm varet nga siguria që ofrojnë institucionet. Kur policia shndërrohet në burim frike fizike, te fëmija shkaktohet “traumë institucionale”, e cila shkatërron besimin te shteti i së drejtës.
Paulo Freire (“Pedagogjia e të Shtypurve”): Freire argumenton se çdo akt dhune institucionale është një përpjekje për të mbjellë frikën. Fëmija që përballet me gaz lotësjellës sot, nesër nuk do të jetë një qytetar aktiv e paqësor, por një i ri i mbushur me frymë revolte ose plogështi qytetare.
Albert Bandura (Teoria e të Mësuarit Social): Sipas Bandura-s, fëmijët dhe të rinjtë mësojnë jo vetëm përmes udhëzimeve të drejtpërdrejta, por edhe duke vëzhguar sjelljen e të tjerëve, veçanërisht të figurave që përfaqësojnë autoritetin. Kur një institucion shtetëror, i cili në perceptimin e fëmijës duhet të përfaqësojë mbrojtjen, rendin dhe sigurinë, shfaqet si burim force dhe frike, mesazhi psikologjik që transmetohet është i fuqishëm. Fëmija mund të mësojë se konflikti zgjidhet përmes forcës dhe se autoriteti lidhet me frikën, në vend që të lidhet me mbrojtjen, dialogun dhe drejtësinë. Një përvojë e tillë mund të ndikojë në mënyrën se si i riu ndërton raportin e tij të ardhshëm me institucionet, autoritetin dhe vetë pjesëmarrjen qytetare.
Nga pedagogjia te ligji: çfarë thonë konventat ndërkombëtare
Përdorimi i lëndëve irrituese kimike (spraj/gaz lotësjellës) ndaj të rinjve e të miturve nuk është vetëm gabim edukativ, por një shkelje e hapur e kuadrit ligjor ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës (UNCRC) përcakton disa parime themelore për mbrojtjen e fëmijëve.
Neni 3 (Interesi më i lartë i fëmijës): Përcakton se, në çdo veprim të ndërmarrë nga autoritetet publike apo policia, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore. Përdorimi i gazit kimik mbi fëmijët bie ndesh drejtpërdrejt me këtë parim.
Neni 15 (Liria e tubimit paqësor): Garanton të drejtën e fëmijës për t’u tubuar paqësisht.
Neni 19 (Mbrojtja nga dhuna): Detyron shtetin të mbrojë fëmijën nga çdo formë e dhunës fizike apo mendore, përfshirë atë që ushtrohet nga vetë organet e rendit.
Neni 37 (Ndalimi i trajtimit mizor): Ndalon rreptësisht nënshtrimin e fëmijëve ndaj mundimeve, trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor apo poshtërues.
Edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) vendos kufij të qartë për trajtimin nga autoritetet shtetërore.
Neni 3 (Ndalimi i trajtimit poshtërues): Gjykata e Strazburgut ka theksuar vazhdimisht se përdorimi i lëndëve kimike, si spraj piper, ndaj personave vulnerabël, veçanërisht të miturve, përbën trajtim çnjerëzor dhe poshtërues kur nuk është absolutisht i domosdoshëm.
Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe standardet e Këshillit të Evropës dhe CPT-së.
Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) ka udhëzime të qarta se lëndët kimike irrituese nuk duhet të përdoren ndaj grupeve vulnerabile, si fëmijët, për shkak të rreziqeve të rënda për shëndetin e tyre fizik dhe psikologjik.
Kur mbrojtja e fëmijëve bëhet test për demokracinë
Në Itali dhe në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, mbrojtja e integritetit të të rinjve është një vijë e kuqe e pakalueshme. Asnjë operacion policor nuk mund të arsyetojë mbytjen e fëmijëve me gaz apo spraj piper.
I bëj thirrje shoqërisë civile, opinionit publik, mediave të pavarura dhe Avokatit të Popullit që të mos e kalojnë këtë situatë si një “ngjarje ditore”.
Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna shtetërore nuk është çështje politike; është test për pjekurinë demokratike dhe dinjitetin moral të mbarë shoqërisë shqiptare.
Inizio modulo
Fine modulo
