Last Updated on 14/10/2026 by Monika
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar për pamjet e dhunës, shkatërrimin e pronës dhe sulmet ndaj institucioneve e selive diplomatike, duke i cilësuar ato si të papranueshme.
Në një reagim publik, Hoxha thekson se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar besim dhe respekt ndërkombëtar, si dhe duke forcuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt dhe mikpritës.
Sipas ministrit, pamjet e dhunës nuk përfaqësojnë Shqipërinë e sotme dhe as të ardhmen që synon të ndërtojë vendi. Ai paralajmëron se akte të tilla mund të dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë, perceptimin e saj si destinacion i sigurt për turistët dhe investitorët, si dhe të hedhin hije dyshimi mbi përparimin drejt anëtarësimit në BE.
Hoxha nënvizon se imazhi ndërkombëtar i vendit është ndërtuar me mund ndër vite dhe dekada, por mund të cenohet lehtësisht nga pamjet e dhunës ndaj pronës publike dhe private.
“Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo”, thekson ministri, duke bërë thirrje për të mos cenuar atë që e cilëson si një pasuri të përbashkët: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë./mxh
