Me rastin e festës së Kurban Bajramit myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi ka përcjellë urime për besimtarët myslimanë, duke u bërë thirrje për paqe dhe harmoni në familje dhe shoqëri.
Ai theksoi se simbolika e kësaj dite është kurbani dhe ftoi besimtarët që sipas mundësive, të bëjnë kurban dhe të ndajnë ushqim me familjarët dhe nevojtarët.
Cikalleshi njoftoi gjithashtu se ceremonia e faljes së Kurban Bajramit do të kryhet në Korçë, pranë xhamisë “Iljas Bej Mirahori”, ndërsa në zonat e tjera në xhamitë përkatëse.
Mesazhi i plotë:
Të nderuar besimtarë myslimanë të Qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër!
Më lejoni që në këtë prag feste të Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë kjo festë në familjet tuaja.
Kurban Bajrami është një nga festat e mëdha të fesë Islame që bashkon zemrat e myslimanëve në mbarë botën. Ajo na sjell ndërmend sakrificën e Ibrahimit a.s. dhe nënshtrimin e Ismailit a.s. ndaj Zotit të botëve, si dhe raportin e duhur prind-fëmijë. Prandaj edhe simbolika e kësaj dite është kurbani. Për kurban mund të bëhet delja, dhia ose lopa, duke filluar pas faljes së namazit të Bajramit në xhami. Ndërsa kafshët e tjera, si pula, këndezi etj., nuk hyjnë në kategorinë e kurbanit. Kush i ka mundësitë ekonomike, le të bëjë kurban një shqerre si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit, të ushqejë familjen e tij dhe t’u shpërndajë edhe të tjerëve, ashtu si është edhe porosia e Profetit Muhamed (s.a.v).
Të nderuar besimtarë dhe besimtare!
Sot është dita e Arafatit, kur haxhinjtë në Mekë mblidhen në zonën e Arafatit për t’u lutur. Besimtarët e tjerë mund të agjërojnë këtë ditë dhe Profeti a.s. na lajmëron se shpërblimi i agjërimit të kësaj dite është se falen gjynahet e një viti më parë dhe të vitit të ardhshëm. Kush e ka kaluar agjërueshëm këtë ditë, lus Allahun t’ia pranojë dhe t’ia mundësojë shpërblimin!
Ndërsa festa e Kurban Bajramit është nesër, ditën e mërkurë, dt. 27 maj 2026. Ceremonia e faljes së Namazit të Kurban Bajramit për qytetin e Korçës do të zhvillohet para oborrit të xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”, ndërsa në zonat e tjera në xhamitë përkatëse.
Janë të mirëpritur të gjithë besimtarët, burra dhe gra, fëmijë e të moshuar, të marrin pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit, e cila fillon në orën 06:20 me ligjërata dhe kulmon me faljen e namazit të Bajramit në orën 06:50.
I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë tuaja më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Gëzuar dhe Përshumëvjet Kurban Bajramin! /kb
