Edhe miqësitë më të ngushta mund të kalojnë periudha të vështira. Ndonjëherë, mjafton një keqkuptim për të krijuar distancë, por në raste të tjera, janë disa sjellje të përsëritura që e dëmtojnë marrëdhënien gradualisht, pa e kuptuar asnjëri prej miqve. Mungesa e reciprocitetit, thashethemet, problemet me komunikimin dhe mosbesimi janë disa nga arsyet që mund të krijojnë tension edhe mes njerëzve që kanë vite që njihen.
Psikologë dhe terapistë marrëdhëniesh theksojnë se jo gjithmonë bëhet fjalë për konflikte të mëdha. Shpesh, janë zakone që duken të parëndësishme, por që me kalimin e kohës mund ta bëjnë një person të ndihet i pavlerësuar, i padëgjuar ose emocionalisht i lodhur.
1. Miqësia bëhet e njëanshme
Një miqësi e shëndetshme kërkon përpjekje nga të dyja palët. Nëse njëri është gjithmonë ai që merr iniciativën për t’u takuar, dëgjon problemet e tjetrit dhe ofron mbështetje, ndërsa nuk merr të njëjtën gjë në këmbim, me kalimin e kohës mund të ndihet i nënvlerësuar.
Psikologia Donna Morgan shpjegon se mungesa e reciprocitetit mund të krijojë pakënaqësi, sidomos kur një person ndien vazhdimisht se po investon më shumë emocionalisht ose po bën më shumë përpjekje për ta mbajtur gjallë miqësinë.
Kjo nuk do të thotë që çdo marrëdhënie duhet të jetë e barabartë në çdo moment, pasi njerëzit kalojnë periudha kur kanë më shumë nevojë për mbështetje. Problemi lind kur kjo pabarazi bëhet e vazhdueshme.
2. Premtimet e pambajtura dhe anulimet në minutën e fundit
Të anulosh një takim për një arsye të vlefshme nuk është problem. Por kur kjo ndodh vazhdimisht, pa shpjegime apo përpjekje për të gjetur një moment tjetër për t’u takuar, mund t’i japë mikut përshtypjen se nuk është prioritet.
Besueshmëria është një nga elementet kryesore të një miqësie të qëndrueshme. Premtimet e pambajtura dhe sjellja e paqëndrueshme mund ta dëmtojnë besimin gradualisht, derisa njëri prej miqve të mos ketë më të njëjtën dëshirë për ta ruajtur marrëdhënien.
3. Bisedat rrotullohen gjithmonë rreth jush
Të gjithë kemi nevojë të flasim për problemet, përvojat dhe shqetësimet tona. Megjithatë, kur një person e kthen çdo bisedë te vetja dhe tregon pak interes për atë që po përjeton miku i tij, marrëdhënia mund të bëhet e lodhshme.
Sipas Morgan, kur një person dominon vazhdimisht bisedat dhe përqendrohet kryesisht te përvojat e veta, të tjerët mund të ndihen të padëgjuar dhe të parëndësishëm.
Një miqësi nuk kërkon që të keni gjithmonë zgjidhje për problemet e tjetrit. Ndonjëherë, mjafton të dëgjoni me vëmendje, të bëni pyetje dhe t’i tregoni mikut se ajo që po ndan me ju ka rëndësi.

4. Dallimet politike kthehen në konflikt personal
Miqtë nuk kanë pse të ndajnë të njëjtat bindje politike për të pasur një marrëdhënie të mirë. Megjithatë, diskutimet mund të bëhen problematike kur palët nuk janë të gatshme të dëgjojnë njëra-tjetrën ose kur mendimet e ndryshme kthehen në arsye për fyerje dhe gjykime personale.
Terapistja Jenny Warwick e përshkruan politikën si një temë polarizuese, veçanërisht kur diskutimi nuk zhvillohet në mënyrë të barabartë dhe me ndjeshmëri.
Këshilla e saj është të përpiqeni të kuptoni këndvështrimin e mikut përpara se të përgjigjeni. Të dëgjosh nuk do të thotë të biesh dakord, por të pranosh se njerëzit mund t’i shohin gjërat ndryshe pa qenë e nevojshme që kjo të shkatërrojë marrëdhënien.
5. Komunikimi i dobët dhe mungesa e besimit
Jo të gjithë komunikojnë në të njëjtën mënyrë. Disa njerëz preferojnë t’i diskutojnë problemet drejtpërdrejt, ndërsa të tjerë kanë nevojë për më shumë kohë ose zgjedhin një qasje më të kujdesshme. Këto dallime mund të shkaktojnë keqkuptime, sidomos kur asnjëri nuk shpjegon se çfarë pret nga tjetri.
Warwick këshillon që miqtë të flasin hapur për mënyrën se si preferojnë të komunikojnë, të dëgjojnë me vëmendje dhe të tregojnë respekt për nevojat e njëri-tjetrit.
Edhe thashethemet mund të dëmtojnë rëndë një miqësi. Kur dikush zbulon se gjërat që ka ndarë në mirëbesim janë diskutuar me të tjerët, mund ta ketë të vështirë të ndihet sërish i sigurt në atë marrëdhënie. Pa besim dhe komunikim të sinqertë, edhe miqësitë më të vjetra mund të fillojnë të zbehen.

6. Kërkoni vazhdimisht këshilla, por nuk i dëgjoni kurrë
Është normale t’u drejtohemi miqve kur kemi nevojë për ndihmë ose këshilla. Por kur një person kërkon vazhdimisht mbështetje emocionale, pa marrë parasysh asnjë sugjerim dhe pa bërë përpjekje për të ndryshuar situatën, kjo mund ta lodhë tjetrin.
Këshilluesja Abigail Holman shpjegon se kjo dinamikë mund ta vendosë njërin mik në rolin e personit që përpiqet vazhdimisht të shpëtojë tjetrin, ndërsa tjetri mund të ndihet i pafuqishëm për të ndryshuar gjërat.
Me kalimin e kohës, personi që ofron mbështetje mund të ndihet i rraskapitur emocionalisht dhe i frustruar, veçanërisht kur përpjekjet e tij duket se nuk dëgjohen. Nga ana tjetër, personi që kërkon vazhdimisht zgjidhje nga të tjerët mund ta ketë gjithnjë e më të vështirë t’i besojë gjykimit të vet.
Kjo nuk do të thotë se miqtë duhet të ndalojnë së kërkuari ndihmë nga njëri-tjetri. Përkundrazi, është e rëndësishme të kuptojnë se mbështetja nuk nënkupton marrjen përsipër të çdo problemi të tjetrit.
Në fund, një miqësi nuk dëmtohet domosdoshmërisht nga një debat apo një gabim i vetëm, por nga sjelljet që përsëriten dhe mbeten pa u diskutuar. Të flasësh hapur, të dëgjosh me vëmendje, të respektosh kufijtë dhe të tregosh interes të sinqertë për tjetrin janë disa nga mënyrat më të mira për ta ruajtur një marrëdhënie të shëndetshme. Dhe ndonjëherë, një bisedë e sinqertë mund të bëjë më shumë sesa të presësh që miku të kuptojë vetë se çfarë të ka lënduar./k.m
