Last Updated on 09/06/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama, mbrojti tezën se flamingot u rikthyen në Shqipëri pas ardhjes së tij në pushtet. Gjatë një konference me gazetarët europianë, kreu i qeverisë tha se këto specie nisën të riktheheshin disa vite pasi qeveria vendosi moratoriumin 10-vjeçar për gjuetinë.
“Kur unë erdha në qeveri, kur ne morëm qeverinë, nuk ishte atje flamingo. Pse? Sepse Shqipëria ishte vendi i nxehtë i gjuetisë së paligjshme. Ne humbëm shumë prej jetës tonë të egër për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe ndërkohë flamingot bashkë me pelikanët e të tjerë nisën të ktheheshin pak vite pasi vendosëm moratorium në Shqipëri duke e shpallur gjuetinë të paligjshme për 10 vjet, ne miratuam një moratorium për prerjen e pyjeve, çka ishte e paligjshme për 10 vjet në Shqipëri. Nuk ishte më leje për prerjen e pyjeve për 10 vjet. Dhe shihni nga pamjet satelitore se ku ishte vendi dhe ku është sot. Shihni në regjistra se ku është po themi jeta e egër apo habitati ku ka qenë e ku është dhe këtu nuk janë gjëra që i them unë e që ju mund t’i verifikoni. E di unë nuk jam tërheqës, nuk jam një protestues”, tha Rama.
Ai theksoi se qeveria ka zgjeruar ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në vend, duke pohuar se nga më pak se 15% në vitin 2013, sot Shqipëria ka rreth 25% të territorit të saj nën mbrojtje.
“Askush nuk mund të më japë leksione mua apo neve për mjedisin, sepse ne shpallëm, ne krijuam, hartuam ligjin e parë, hartën e parë të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në 2017n dhe të parin regjistër e të parin inventar dhe sa për ta ditur ju, ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, ndërsa sot kemi rreth 25% zona të mbrojtura. Është një nga vendet me sipërfaqen më të madhur të zonave të mbrojtura. deklaroi se turizmi elitar përfaqëson një alternativë më të qëndrueshme se turizmi masiv, pasi sipas tij sjell më shumë të ardhura me më pak presion mbi mjedisin dhe infrastrukturën”, theksoi ai.
Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzat se ndryshimet ligjore të vitit 2024 janë bërë për t’i hapur rrugë projekteve të investitorit amerikan Jared Kushner në bregdetin shqiptar.
“Është gënjeshtër që ligji u ndryshua për të shkatërruar bregdetin. Ndryshimet specifikuan se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në kategori të ndryshme të zonave të mbrojtura. Zona për të cilën flasim ka qenë gjithmonë e kategorisë së pestë dhe nuk ka lidhje me zonat e paprekshme si delta e Vjosës”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi se turizmi elitar përfaqëson një alternativë më të qëndrueshme se turizmi masiv, pasi sipas tij sjell më shumë të ardhura me më pak presion mbi mjedisin dhe infrastrukturën.
“Turizmi luksoz e mbron një vend nga ajo që mund t’i ndodhë nga turizmi masiv. Na duhet të ndryshojmë shkallën e të ardhurave dhe të ulim trysninë që turizmi masiv ka mbi mjedisin”, tha ai./ET
