Papa Leoni XIV bëri thirrje për unitet dhe paqe gjatë aktivitetit të tij të parë në Barcelonë, ku mori pjesë në lutjen e mesditës në Katedralen e qytetit.
Në fjalën e tij para besimtarëve, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit në një botë të përçarë nga luftërat dhe konfliktet. Ai u shpreh se Barcelona dhe Katalonja kanë një mision të veçantë për të qenë ndërtues të unitetit dhe harmonisë.
PAPA LEONI XIV:
“Është e rëndësishme që secili prej nesh të mos lejojë që asgjë të shkatërrojë unitetin në të cilin Zoti na ka vendosur. Në një botë të përçarë nga luftërat dhe ndasitë, ne dëshirojmë të jemi dëshmitarë dhe profetë të unitetit, mikpritjes, harmonisë dhe paqes.”
Pas ceremonisë, Papa vizitoi kriptën e Shën Eulalisë, shenjtores mbrojtëse të Barcelonës, e cila sipas traditës u martirizua në shekullin e katërt për shkak të besimit të saj të krishterë.
Në një moment të paplanifikuar, Papa doli në ballkonin e Pallatit Ipeshkvnor, përshëndeti turmën e mbledhur dhe u uroi atyre “Bon Appétit”, duke shkaktuar entuziazëm mes besimtarëve.
Vizita e Papa Leonit XIV në Barcelonë do të vazhdojë me inaugurimin e kullës së re të Bazilikës së famshme Sagrada Família. Gjithashtu, ai pritet të vizitojë manastirin Montserrat Abbey, të takohet me drejtuesit e rajonit të Katalonjës dhe të marrë pjesë në një vigjilje lutjeje me të rinjtë në stadiumin olimpik Lluís Companys Olympic Stadium./mxh
