Autoritetet franceze kanë marrë vendim për tërheqjen nga tregu evropian të 15 llojeve të prezervativëve, pas konstatimit të problemeve në procesin e prodhimit, të cilat mund të shkaktojnë çarje apo shqyerje gjatë përdorimit.
Sipas institucioneve përgjegjëse, defektet e identifikuara paraqesin rrezik për konsumatorët, pasi mund të cenojnë mbrojtjen nga infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënitë e padëshiruara.
Bëhet fjalë për prezervativë ultra të hollë të prodhuar nga kompania malajziane Richter Rubber Technology. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme për Politikat e Konkurrencës, Çështjet e Konsumatorëve dhe Kontrollin e Mashtrimeve (DGCCRF).
Në urdhrin ministror të 22 tetorit, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Francës më 30 tetor, thuhet se janë raportuar raste të çarjes së prezervativëve, si dhe shtatzëni të padëshiruara që lidhen me mostrat e testuara.
Kontrollet laboratorike kanë evidentuar parregullsi në trashësinë dhe cilësinë e shtresës së lateksit. Produktet nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara në testet e presionit, vëllimit të shpërthimit dhe kontrollit për praninë e vrimave. Po ashtu, është konstatuar mungesë e mbikëqyrjes së duhur nga prodhuesi gjatë procesit të prodhimit, transmeton Telegrafi.
Sipas Ministrisë franceze të Ekonomisë, sasia e produkteve të prekura arrin në rreth 7 milionë prezervativë të shpërndarë në tregun e Bashkimit Evropian. Megjithatë, vetëm një pjesë e tyre është tregtuar në Francë.
Për të parandaluar rreziqet e mëtejshme, qeveria franceze ka vendosur të ndalojë për një periudhë njëvjeçare importin dhe shitjen e të gjithë prezervativëve ultra të hollë të kësaj kompanie, të prodhuar përmes procesit të identifikuar si problematik. Ndalimi mund të vazhdojë edhe më tej, në varësi të rezultateve të kontrolleve.
Ky vendim vjen pas hetimeve të nisura pas tërheqjeve të para nga tregu gjatë verës. Në fund të majit dhe në fillim të gushtit, autoritetet kishin urdhëruar largimin e rreth 260 mijë prezervativëve. Që nga ajo periudhë, tetë persona kanë raportuar raste të çarjes së produkteve.
Masa prek edhe vende të tjera evropiane, pasi prezervativët e prodhuar nga kompania janë shpërndarë në disa tregje dhe janë tregtuar me emra të ndryshëm komercialë.
Autoritetet franceze kanë publikuar të dhënat për produktet dhe seritë e përfshira në këtë vendim. Përveç largimit të tyre nga dyqanet dhe pikat e shitjes, është kërkuar edhe rikthimi i produkteve që mund të jenë ende në duart e konsumatorëve.
Ndërkohë, personave që kanë përdorur prezervativët e prekur u rekomandohet të kryejnë teste për infeksionet seksualisht të transmetueshme në një laborator mjekësor. Në rastet kur menstruacionet vonohen, këshillohet gjithashtu kryerja e një testi shtatzënie.
Për çdo shqetësim tjetër shëndetësor, qytetarët duhet t’i drejtohen mjekut ose një qendre falas të shërbimeve të shëndetit seksual.
DGCCRF u ka bërë thirrje konsumatorëve që të raportojnë çdo problem të konstatuar gjatë përdorimit të këtyre produkteve, veçanërisht çarjet apo vrimat, përmes platformës shtetërore të raportimit të incidenteve shëndetësore.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se do të vijojnë të mbikëqyrin procesin e tërheqjes, për të garantuar që produktet e pasigurta të mos mbeten në qarkullim./mxh
