Banorët e Parisit kanë shprehur zhgënjimin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Francës për të bllokuar ligjin që ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç.
Gjykata argumentoi se ligji ngrinte shqetësime lidhur me lirinë e shprehjes dhe privatësinë, ndërsa kërkonte që përdoruesit të verifikonin moshën përpara hapjes së një llogarie.
Ligji, i miratuar nga parlamenti francez në korrik, parashikonte që nga 1 shtatori fëmijët nën 15 vjeç të mos mund të hapnin llogari të reja në rrjetet sociale. Platformat do të duhej gjithashtu të mbyllnin brenda katër muajve llogaritë ekzistuese dhe të zbatonin sisteme të verifikimit të moshës.
Por Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ligji nuk përcaktonte qartë kushtet dhe kufijtë e verifikimit të moshës dhe se disa prej dispozitave cenonin liritë dhe privatësinë e qytetarëve.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme në Paris. Disa prindër dhe të rinj shprehen se ndalimi do të ishte një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në internet.
Franca kishte synuar të bëhej vendi i parë europian që vendoste një kufizim të tillë për moshën nën 15 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila ka ndaluar përdorimin e platformave si Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube për fëmijët nën 16 vjeç./mxh
