Nga Ermal Peçi
Ndonjëherë një histori e madhe nis nga një derë e hapur. Nga një familje që vendos të mos pyesë kush je. Nga njerëz të zakonshëm që, në ditët më të vështira, zgjedhin të bëjnë atë që është njerëzore.
Kështu duhet të kujtohet edhe historia e shqiptarëve që mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm si një ngjarje e së shkuarës, por si një dëshmi e karakterit dhe humanizmit të njerëzve të këtij vendi.
Në Vlorë, kjo histori po merr një tjetër jetë. Muzeu i Hebrenjve po restaurohet dhe bashkë me të po rikthehet në vëmendje një prej dëshmive më të veçanta të historisë sonë.
Ky muze nuk mund të ketë si qëllim të ruaj vetëm fotografi, dokumente dhe emra por të ruaj historinë. Historinë e njerëzve mbrojtën familjet hebreje dhe rrezikuan e jetën e tyre.
Në kohën kur Europa ishte mbërthyer nga makineria shfarosëse naziste dhe Adolf Hitleri kishte ngritur një sistem të organizuar përndjekjeje dhe shfarosjeje ndaj hebrenjve, në Shqipëri ndodhi diçka që sot duhet ta tregojmë shumë më fort: shqiptarët hapën dyert e shtëpive të tyre për njerëzit që kërkonin shpëtim. Shqiptarët jo vetëm ju hapën dyert por i strehuan. I fshehën. I ndihmuan. I mbrojtën.
Këto fjalë duken të thjeshta sot. Por në atë kohë nuk ishin aspak të tilla. Të mbroje një hebre në një Shqipëri të pushtuar do të thoshte të rrezikoje veten dhe familjen. Një kontroll i gabuar, një dëshmi e zbuluar, një emër i treguar te njerëzit e gabuar mund të sillte pasoja tragjike.
“Besa shqiptare, në këtë kapitull, nuk ishte thjesht një fjalë. Ishte pjesë e kodit të shqiptarit, një parim i vjetër që e lidhte nderin me mbajtjen e fjalës dhe mbrojtjen e mikut. Prandaj besa u kthye në mburojë për këto familje.”
“Pas çdo familjeje hebreje të shpëtuar kishte një familje shqiptare që kishte pranuar të rrezikonte gjithçka. Pas çdo dere të hapur për një të përndjekur qëndronte frika e kontrollit nazist. Por frika nuk ishte më e fortë se besa.”
Kjo është arsyeja pse historia e hebrenjve në Shqipëri nuk duhet treguar vetëm si pjesë e historisë së Holokaustit. Ajo duhet treguar edhe si histori e atyre shqiptarëve që refuzuan të qëndronin indiferentë përballë tij dhe pikërisht këtu merr rëndësi Muzeu i Hebrenjve në Vlorë.
Një muze nuk është vetëm një godinë me objekte të vjetra. Në rastin e Vlorës, ai mund të bëhet një vend ku një brez i ri mëson se çfarë ndodh kur urrejtja kthehet në politikë dhe, po aq e rëndësishme, se çfarë mund të bëjë një njeri i zakonshëm përballë saj.
Prandaj Muzeu i Hebrenjve në Vlorë nuk duhet parë vetëm si një institucion kulturor. Ai duhet të jetë një ambasador i kësaj historie.
Një ambasador që i tregon botës se Shqipëria, një vend i vogël në hartën e Europës, në një nga momentet më të errëta të kontinentit zgjodhi të mbrojë jetën dhe kjo histori duhet të dalë përtej kufijve tanë.
Shqipëria ka shumë histori për t’i treguar botës. Ka Skënderbeun, Pavarësinë, Rilindjen Kombëtare, Nënë Terezën, Adem Jasharin, letërsinë e madhe shqiptare me Kadarenë dhe Dritëro Agollin, ka qytetet historike dhe natyrën që çdo vit tërheq mijëra turistë, por ka edhe këtë histori.
Turisti i sotëm nuk kërkon vetëm detin, diellin dhe ushqimin e mirë. Kërkon edhe histori. Kërkon të kuptojë vendin ku ka ardhur. Kërkon të marrë me vete diçka që nuk e ka parë në një tjetër destinacion.
Prandaj Vlora mund të kthehet në një destinacion të rëndësishëm të turizmit të kujtesës. Historia e hebrenjve në Shqipëri mund të shoqërohet me itinerare historike, guida të specializuara, dokumentarë, ekspozita dhe bashkëpunime me institucione në Izrael, SHBA dhe Europë.
Një vizitor që vjen në Shqipëri nuk duhet të largohet vetëm me fotografitë e Rivierës. Duhet të marrë me vete edhe një histori për këtë vend. Një histori që nuk gjendet në çdo destinacion turistik dhe që i jep kuptim tjetër udhëtimit të tij.
Një vizitor nga çdo cep i botës duhet të ketë mundësinë të dëgjojë: “Këtu, gjatë Holokaustit, shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenj të përndjekur.” Turizmi nuk është vetëm të vizitosh një vend. Është të njohësh historinë e tij, ta përjetosh dhe të largohesh me një rrëfim që ia vlen t’ua tregosh edhe të tjerëve.
Mund të ndërtohen itinerare historike, guida, ekspozita, dokumentarë dhe projekte të përbashkëta me institucione shqiptare dhe hebraike. Vlora mund të ketë një vend të rëndësishëm në këtë hartë të turizmit të kujtesës.
Prandaj kur të vij momenti që Muzeu i Hebrenjve në Vlorë të hapë dyert pas restaurimit, ata nuk duhet të jenë të përgatitur vetëm për të mirëpritur shqiptarët, turistët, studiuesit, por ata duhet të përgatiten që gjithë këtë histori të ja tregojnë botës se çfarë bën familjet shqiptare. Jo për të marrë merita për atë që bënë shqiptarët e asaj kohe, por për të mos lejuar që ajo vepër njerëzore të harrohet.
Në fund të fundit, pasuria e një vendi nuk matet vetëm me atë që i ka dhënë natyra. Ndonjëherë pasuria më e madhe është ajo që njerëzit e tij kanë bërë për njëri-tjetrin dhe çfarë historie kanë të gdhendur në rrugicat, muret dhe të shkruar në letra.
Në kohën kur shumë dyer në Europë u mbyllën përballë hebrenjve nga frika e nazistëve, në Shqipëri pati njerëz që zgjodhën t’i hapnin. Kjo është historia që Shqipëria dhe Vlora duhet t’ia tregojnë botës.
