Last Updated on 11/11/2025 by Leonard
10 nëntor 1759, lindja e dramaturgut, poetit, filozofit dhe historianit që konsiderohet si një nga dramaturgët klasikë më të rëndësishëm të Gjermanisë
Nga Leonard Veizi
Me sa duket ka zëra që nuk arrijnë të vjetrohen asnjëherë. Janë ata që i flasin shpirtit njerëzor përtej kohës, përtej kufijve, përtej historive të rrënuara nga pushtete e ideologji. Një prej tyre është zëri i Fridrih Shilerit, poeti që ngriti fjalën në tempull të lirisë dhe njeriun në qendër të botës. Fjalët e tij, edhe sot, kanë një tingull të pastër si kambanat e shpresës: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash.”…
…Në vitin 10 nëntor 1759, në qytetin Marbah am Nekar të Gjermanisë, lindi Fridrih Shileri — poeti, dramaturgu, filozofi dhe historiani që do të ndryshonte rrjedhën e letërsisë evropiane. Ai u bë një nga figurat më të ndritura të kulturës gjermane dhe një nga themeluesit e romantizmit evropian, duke shndërruar idealet e lirisë, dinjitetit dhe humanizmit në udhërrëfyes për brezat që do të vinin më pas.
Nga mjekësia te arti i fjalës
Edhe pse në fillim studioi për mjekësi, pasioni për letërsinë e tërhoqi drejt rrugës së fjalës. Ishte koha kur Evropa përjetonte trazira të mëdha mendimesh, dhe Shileri, me shpirtin e tij të ndjeshëm e rebel, e ndjeu nevojën të fliste për njeriun që kërkon drejtësi.
Me dramën “Hajdutët”, ai tronditi skenën teatrore gjermane, duke sjellë për herë të parë në qendër njeriun e zakonshëm, që guxon të sfidojë autoritetin dhe padrejtësinë. Pastaj erdhën “Don Karlos”, “Maria Stjuart” dhe “Vilhelm Tel” — vepra që i dhanë frymë lirisë, dashurisë dhe idealit të njeriut që ngrihet për të mbrojtur dinjitetin e vet.
Miqësia që frymëzoi një epokë
Takimi i tij me Johan Volfgang fon Gëten ishte një nga ngjarjet më të bukura të historisë së letërsisë. Nga kjo miqësi lindi klasicizmi i Vajmarit, një periudhë ku emocionet e pasioneve romantike u bashkuan me arsyen e idealizmit klasik.
Në këtë bashkëbisedim krijues, Shileri solli shpërthimin e ndjenjës, ndërsa Gëte i dha përmasën e urtësisë — dhe të dy, bashkë, ndërtuan një art që fliste për përjetësinë e shpirtit njerëzor.
Një himn për njerëzimin
Edhe pse jetoi vetëm 45 vjet, Shileri la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Poezia e tij “Oda e Gëzimit”, të cilën Ludvig van Bethoveni e përjetësoi në Simfoninë e 9-të, u kthye në një himn universal për paqen dhe vëllazërinë mes njerëzve.
I përkthyer në dhjetëra gjuhë, ky tekst u bë simbol i unitetit shpirtëror të njerëzimit — një kujtesë se arti mund të bashkojë atë që politika ndan.
Shileri në kujtesën shqiptare
Në ekranin shqiptar, – sekuencë nga filmi artistik “Qortimet e Vjeshtës” – vargjet e tij kanë mbetur si një dëshmi e ringjalljes dhe e shpresës që lind nga rrënojat.
“E vjetra shembet,
kohët po ndryshojnë,
një jetë e re lulëzon mbi gërmadha.”
Fjalë që përmbledhin gjithë filozofinë jetësore të Fridrih Shilerit — besimin e palëkundur se çdo shembje është parathënie e një rilindjeje.
Sepse, për të, njeriu është i lirë vetëm kur është krijues — dhe arti, në thelb, është akti më i lartë i lirisë.
Fridrih Shileri mbetet poeti i shpirtit njerëzor — ai që kuptoi se dhimbja është farë e bukurisë dhe se çdo kohë, sado e errët, fsheh në thellësitë e saj lindjen e një jete të re.

