Aktori britanik Callum Turner përflitet si emri më i mundshëm për të marrë rolin e James Bond, duke zëvendësuar Daniel Craig në filmin e ardhshëm të sagës së famshme. Edhe pse producentët nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar për aktorin që do të interpretojë agjentin 007, gazetari amerikan i argëtimit Roger Friedman ka ngritur këtë hipotezë, duke iu referuar informacioneve që po qarkullojnë në industrinë e filmit.
Në portalin e tij “Showbiz411”, Friedman shkruan se Callum Turner mund të jetë James Bond-i i ri. Lajmi ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të së kaluarës së gazetarit, i cili thuhet se kishte raportuar që në fazat e hershme për përzgjedhjen e Daniel Craig në këtë rol, më shumë se 20 vite më parë. Craig debutoi si agjenti 007 në filmin “Casino Royale”, në vitin 2006.
Friedman ka përmendur edhe një tjetër emër të njohur në këtë histori, atë të këngëtares Dua Lipa, partnerja e Callum Turner. Sipas tij, nëse aktori merr rolin e Bond-it, Dua Lipa mund të interpretojë këngën kryesore të filmit të ri. Megjithatë, gazetari e ka bërë të qartë se kjo është vetëm ideja e tij dhe jo një informacion i konfirmuar.
Emri i Dua Lipës është përmendur edhe më herët si një nga kandidatet e mundshme për të kënduar kolonën zanore të filmit të ardhshëm të James Bond. Në këtë garë përfliten gjithashtu këngëtaret Raye dhe Olivia Dean. Megjithatë, emrat e përmendur në bastet online pasqyrojnë vetëm interesin dhe diskutimet aktuale, pa dëshmuar se ka negociata me producentët.
Ndërkohë, spekulimet kanë përfshirë edhe përzgjedhjen e aktores që mund të luajë përkrah agjentit 007. Margaret Qualley është një nga emrat e përmendur, duke u renditur në bastet online përpara aktoreve të njohura si Sydney Sweeney dhe Anya Taylor-Joy. Edhe në këtë rast, nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar.
Deri më tani, i vetmi emër i konfirmuar në ekipin e filmit të ardhshëm është regjisori Denis Villeneuve, i cili do të drejtojë projektin e ri të sagës James Bond. Përzgjedhja e aktorit kryesor, këngëtarit të kolonës zanore dhe pjesës tjetër të kastit mbetet ende e hapur./mxh
