Last Updated on 04/11/2026 by EL
Personi që shihni në këtë fotografi, është Gazmir Fiku, supervizor në OSHEE për më shumë se një dekadë, i cili dyshohet se mbrëmjen e djeshme ka vrarë të atin me pistoletë dhe për të fshehur krimin, bashkë me nënën Sadete Fiku kanë deklaruar në Polici se e kishte kafshuar ariu.
Sot, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.
Fillimisht, familjarët e shtetasit Urim Fiku raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve: Sadete Fiku, 57 vjeçe dhe Gazmir Fiku, 33 vjeç, të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit Urim Fiku).
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim./ET
