Last Updated on 28/09/2025 by adminfjala
Në kuadër të procesit për zgjedhjen e kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës, grupi negociator i Partisë Demokratike ka vijuar konsultimet me aleatët. Pas takimeve me kreun e Republikanëve Fatmir Mediu dhe kryetarin e PAA-së Agron Duka, PD ka zhvilluar një mbledhje edhe me përfaqësuesit e Partisë së Lirisë.
Në këtë takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, dhe deputeti Edmond Haxhinasto. Blushi deklaroi se opozita synon të paraqesë një kandidaturë gjithëpërfshirëse, e cila të përfaqësojë të gjitha forcat opozitare dhe interesat e qytetarëve të Tiranës.
“Kjo kandidaturë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo një kandidate e emëruar sikundër ka ndodhur me kandidaten e PS. Pra, përballë kandidates së Covid-it, ne po përzgjedhim vaksinën e duhur që do të shërojë njëherë e përgjithmonë kryeqytetin”, u shpreh Blushi.
Ndërsa i pyetur nëse kandidatura e opozitës, do t’i shpëtonte zgjedhjet nga ajo që pretendon opozita si ‘masakër zgjedhore’, Blushi iu shmang pyetjes.
“Vaksina jonë kundër Covid-it të Edi Ramës, do të jetë një kandidaturë në shërbim të qytetarëve dhe do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë paligjshmërinë dhe korrupsionin që ka përfshirë këtë institucion”, tha ai.
Ndërsa më tej Blushi tha se shumë shpejt opozita do të bëjë publike emrin e kandidatit të saj për bashkinë Tiranë.
“Së shpejti do ta bëjë publike emrin Partia Demokratike. Është një proces që ende vijon dhe shumë shpejt do të keni emrin”, tha Blushi.
Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës do të mbahen pas shkarkimit të Erion Veliajt. Procedura kërkon që pas shkarkimit të Erion Veliajt, qeveria të njoftojë presidentin për vakancën e krijuar në bashkinë e kryeqytetit, ndërsa kreu i shtetit duket të dekretojë një datë për zgjedhjet brenda 48 orëve. Erion Veliaj nga ana tjetër, është ende brenda afatit 15 ditor nga dita e shkarkimit, për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese./E.T
