Last Updated on 19/05/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD është më transparenti dhe më demokratiku, pasi zhvillohet me parimin “një anëtar-një votë”.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha u pyet nëse do të zhvillojë fushatë për votëbesimin e 23 majit, duke qenë se nuk ka kandidat përballë në garë.
Ai tha se anëtarët e PD janë thirrur të shprehin votëbesimin e tyre në një proces të hapur dhe transparent, ndërsa shtoi se mungesa e kandidatëve përballë kryetarëve në detyrë është një fenomen i zakonshëm edhe në vende të tjera.
“Ky proces shënon formën më demokratike të zgjedhjes së një lideri partie. Në shumicën e rasteve kur garon kryetari, të tjerët nuk hyjnë në garë sepse nuk e kanë të sigurt rezultatin”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, shumë parti politike në botë nuk e zgjedhin kryetarin me votën e anëtarësisë, por përmes forumeve apo aklamacionit, ndërsa PD vijon të zbatojë parimin “një anëtar-një votë”.
Berisha sulmoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se në PS nuk është zhvilluar votim për kryetarin që prej vitit 2009.
“PS e ka në statut ‘një anëtar-një votë’, por nga viti 2009 asnjë anëtar nuk është lejuar të votojë për kreun e partisë”, tha Berisha./A.D
