Last Updated on 14/09/2026 by EL
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin dhe më pas shfuqizimin e disa dispozitave të rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të cilat, sipas organizatës, kufizojnë aksesin e medias në proceset gjyqësore.
Në padinë prej 127 faqesh, AGSH argumenton se rregullorja cenon lirinë e medias, të drejtën e informimit, publicitetin e procesit gjyqësor dhe autonominë editoriale. Asociacioni sqaron se nuk kundërshton masat që lidhen me sigurinë e gjykatës, por kufizimet që prekin gazetarët dhe publikun.
Sipas AGSH-së, rregullorja i detyron gazetarët të aplikojnë 24 orë përpara për të ndjekur seancat, ndërsa përdorimi i celularëve në sallën e gjyqit është i ndaluar. Gazetarëve nuk u lejohet gjithashtu regjistrimi audio i seancave, ndërsa kamerat në gjykatë janë thuajse të përjashtuara.
Kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, e cilësoi rregulloren si censuruese dhe kritikoi GJKKO-në për mungesën e konsultimit me median. “Kemi paraqitur kërkesën për të pezulluar rregulloren e GJKKO-së dhe më pas për ta shpallur atë antikushtetuese. Jemi të bindur që ajo cenon lirinë e medias dhe të drejtën e gazetarëve për t’i përcjellë publikut atë që ndodh brenda GJKKO-së”, deklaroi Myzyraj.
Një nga kundërshtimet kryesore lidhet edhe me kompetencat e Këshillit të Gjykatës. Sipas AGSH-së, një rregullore e brendshme nuk mund të vendosë kufizime që prekin persona jashtë strukturës së gjykatës dhe as të përcaktojë kushte thelbësore për publicitetin e procesit penal dhe lirinë e shtypit.
Asociacioni kundërshton gjithashtu faktin që rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas tij, publikimi vetëm në faqen e GJKKO-së nuk mjafton për një akt që prodhon pasoja ndaj gazetarëve dhe publikut.
Rregullorja hyri në fuqi më 1 shtator, pavarësisht kundërshtimeve të gazetarëve dhe organizatave të medias në Shqipëri dhe jashtë vendit. Pas hyrjes në fuqi, GJKKO mbylli edhe grupin në WhatsApp ku shpërndaheshin njoftimet zyrtare për gazetarët dhe njoftoi krijimin e një grupi të ri vetëm për gazetarët e akredituar.
Pjesa më e madhe e gazetarëve që ndjekin rregullisht seancat e GJKKO-së kanë refuzuar të plotësojnë formularët e akreditimit, duke kundërshtuar edhe kërkesën për të deklaruar të dhëna personale, përfshirë adresën e banimit. /et
