Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Ceibashi, ka dalë në një deklaratë për mediat ku dhe ka folur lidhur me procesin e votimit në 5 bashkitë e vendit. Celibashi bëri me dije se në këto zgjedhje të pjesshme morën pjesë 18.51 % e qytetarëve, ndërkohë që theksoi se ishte një proces i cili u zhvillua pa incidente.
I pyetur nga gazetarët, ai deklaroi se numërimi i votave do të nisë rreth orës 22:00 dhe shpreson të përfundojë para mesditës së nesërme.
Sa i përket numrit të ulët të qytetarëve të cilët iu drejtuan kutive të votimit këtë të dielë, kreu i KQZ-së theksoi se këto shifra nuk i bëjnë zgjedhjet iligjitime, kjo për shkak se nuk ka një kufi për pjesëmarrjen.
“E kemi diskutuar shpesh këtë çështje. Nëse do të duhej të kishte një kufi të pjesëmarrjes për të konsideruar zgjedhjet të vlefshme, disa vende e kanë, disa jo. Nëse 12% e qytetarëve të Vlorës kanë marrë pjesë, ky është vullneti i tyre. Pjesa tjetër për arsye të tyre nuk kanë marrë pjesë, por kjo nuk i bën zgjedhjet ilegitime,” tha Celibashi, teksa më tej komentoi edhe situatën në Berat me gazetarin e Euronews Albania, Ardit Hoxha, i cili u pengua nga komisionerët në ushtrimin e punës së tyre.
Kreu i KQZ-së u shpreh i keqardhur nga kjo situatë e krijuar duke theksuar se të gjithë punonjësit e medias kanë akses të plotë në proceset që administrohen nga institucionet publike.
“Jemi vënë menjëherë në dijeni dhe kemi komunikuar për këtë situatë. Nuk ka qenë e nevojshme të ndodhte, pasi anëtarët e këtij komisioni nuk kanë asnjë kufizim për drejtuesit e mediave. Na vjen keq për incidentin, por si institucion kemi përpjekur të dërgojmë mesazhin se media duhet të ketë akses të plotë në proceset që administrohen nga institucionet publike,” shtoi ai. m.p.
