Në skenën politike të Partisë Demokratike është rikthyer sërish lëvizja, këtë herë përmes turit të takimeve që Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti po zhvillojnë me bazën e partisë. Në pamje të parë, këto takime krijojnë idenë e një gare të brendshme, madje edhe të një distance nga Sali Berisha. Por në realitet, sipas gazetarit Albi Xhunga, kjo dinamikë mund të jetë më tepër pjesë e një strategjie të re sesa shenjë e një konflikti real.
Me një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, gazetari shkruan se lëvizjet e Alimehmetit dhe Salianjit nuk janë sfidë ndaj Berishës, por një lojë për të dhënë përshtypjen se në PD ka garë të hapur, debat dhe demokraci të brendshme. Ky skenar shërben për të legjitimuar një proces që në thelb mbetet i kontrolluar nga një qendër e vetme.
Po të shikohet kronologjia e zhvillimeve të viteve të fundit, Berisha është përballur me presion të madh publik dhe ndërkombëtar, dhe për rrjedhojë ka interes të ruajë imazhin e një partie që rinovohet, që hapet dhe ku lidershipi kalon natyrshëm te një brez tjetër. Megjithatë, ai dëshiron të jetë po vetë ai që do të përcaktojë pasuesin. Në këtë logjikë, gara aktuale e shërben si mbulesë për një proces tranzicioni që kontrollohet nga lart-poshtë.
Kjo strategji ka një objektiv të qartë: trashëgimtari politik i Berishës të mos perceptohet si një “Lulzim Basha i dytë”, pra një figurë e vendosur nga lart, por si një lider i dalë nga një proces i dukshëm konsultimi me anëtarësinë. Kjo do t’i jepte legjitimitet publik dhe do të shmangte përsëritjen e krizave të mëhershme që lindën pikërisht nga perceptimi i kapjes së partisë.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse baza e PD-së do ta pranojë këtë lojë, nëse ajo është realisht duke ndodhur. Shumë demokratë kërkojnë një garë të vërtetë, një udhëheqës që nuk ka varësi nga lidershipi historik dhe një proces të hapur që i jep fund kontrollit të vjetër. Nëse turit të takimeve i mungon autenticiteti, atëherë çdo gjë mund të shndërrohet sërish në një riciklim të problemeve të kahershme. Por nëse gara rezulton reale, atëherë PD mund të futet më në fund në një fazë të re. Zgjedhja do të shihet shpejt: nëse është lojë, apo ndryshim i vërtetë. m.p.
