Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Projektligji për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë ka nxitur debat në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti socialist Damian Gjiknuri i kërkoi zv.guvernatores Holta Zaçaj sqarime për bazën kushtetuese të garancive që synohen të parashikohen për drejtuesin e bankës qendrore.
Gjatë diskutimit, Gjiknuri vuri në pikëpyetje nëse mbrojtja e veçantë nga masat shtrënguese duhet të përcaktohet me ligj apo të garantohet në nivel kushtetues, duke argumentuar se Kushtetuta ka përcaktuar shprehimisht garancitë për funksionarë të tjerë të lartë të shtetit.
“Mos do ishte më mirë dhe më e sigurt që kjo gjë të përcaktohet në një normë kushtetuese?”, pyeti Gjiknuri, duke sugjeruar që të shqyrtohet mundësia e përfshirjes së një dispozite të posaçme për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në Kushtetutë.
Ai solli si shembuj Presidentin e Republikës, deputetët dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë e të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët garancitë përkatëse janë të përcaktuara në nivel kushtetues.
Sipas Gjiknurit, çështja bëhet edhe më e ndjeshme në kushtet kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë trajtuar kufijtë e imuniteteve dhe garancive për funksionarët publikë. Ai ngriti shqetësimin se një zgjidhje përmes ligjit mund të krijojë një precedent për anashkalimin e hierarkisë së normave juridike.
“Kur bëhet fjalë që të mos zbatosh një masë shtrënguese që jep vetëm gjykata, mendoj që vetëm Kushtetuta mund t’i pengojë”, u shpreh deputeti, duke shtuar se ndryshimet e ardhshme kushtetuese, përfshirë ato që mund të kërkohen në kuadër të integrimit europian, mund të shërbejnë si mundësi për ta trajtuar çështjen.
Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri pranoi rëndësinë e pavarësisë së Bankës Qendrore, duke theksuar se ajo është një nga treguesit kryesorë të funksionimit të institucioneve demokratike.
“Në momentin kur ajo kthehet në një zgjatim të ekzekutivit apo të politikës së ditës, atëherë vihen në pikëpyetje edhe stabiliteti financiar i vendit”, deklaroi ai.
Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime për arsyen e shtyrjes në kohë të efekteve të parashikuara nga projektligji dhe lidhjen e tyre me ndryshimet e pritshme në Kodin e Procedurës Penale.
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë u publikua për konsultim nga Ministria e Financave në korrik 2026. Në nenin 72 të draftit parashikohej që Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët të mos mund të arrestoheshin, t’u kufizohej liria apo t’i nënshtroheshin kontrollit personal ose të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të rasteve të flagrancës ose ndjekjes së menjëhershme pas kryerjes së një krimi. Gjykata Kushtetuese duhej të shprehej brenda dy javësh për kërkesën e autorizimit.
Më 25 shtator 2026, deputetë të Partisë Socialiste depozituan në Kuvend një nismë për ndryshimin e ligjit ekzistues për Bankën e Shqipërisë. Në këtë version nuk përfshihej dispozita që parashikonte autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese për masat ndaj Guvernatorit dhe zëvendësguvernatorëve./ad
