Prej kësaj të marte, në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, hyn në fuqi Rregullorja e re e saj, e cila siç nuk ka ndodhur kurrë më parë në këto 35 vite demokraci, censuron haptazi mediat duke mbyllur dyert e kësaj gjykate edhe për ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur ende.
Kryetari i komanduar Erion Bani, ideuesi i Rregullores antitransparencë, shpërfilli hapur të gjitha kritikat dhe kundërshtimet e komunitetit të gazetarëve vendas, të shoqatave të tyre si dhe të organizatave ndërkombëtare të cilat e përkufizuan Rregulloren si një akt antikushtetues që bie ndesh me lirinë dhe të drejtën e informimit dhe “një ndër regjimet më kufizuese”. Ai nuk denjoi të marrë në konsideratë asnjë prej shqetësimeve serioze të ngritura, dhe as të reflektonte qoftë dhe minimalisht, ndonjë ndryshim.
Rregullorja u hartua dhe miratua, pa asnjë konsultim paraprak, as me përfaqësuesit e medias, dhe as me ato të Dhomës së Avokatisë, që po ashtu preken nga kufizimet absurde. Madje arroganca shkoi deri aty sa Këshillit të Lartë Gjyqësor, iu dërgua për mendim pas miratimit. E po kështu dhe Apelit të Posaçëm me të cilin GJKKO ndan të njëjta mjedise, duke iu imponuar në mënyrë flagrante.
Me të njëjtën shpërfillje, një ditë më parë, GJKKO shpërndau dhe një “material informues” mbi zbatimin e Rregullores, përmes pyetjeve dhe përgjigjeve të hartuara prej saj. Gjykata edhe këtë herë zgjodhi një dialog me vetveten, duke shmangur t’i jepte në fakt përgjigje, pikëpyetjeve të shumta të ngritura mbi këtë dokument censurues.
Për të kuptuar hipokrizinë e kësaj përpjekje të fundit të GJKKO-së, mjafton të shohësh pyetjen dhe përgjigjen numër 4 të dokumentit shpjegues, që prek thelbin edhe të ligjit që sanksionon se seancat gjyqësore janë të hapura ndaj publikut.
“4. A janë seancat gjyqësore të hapura për publikun?
Po. Seancat gjyqësore publike janë të hapura për publikun. Ky i fundit mund të ndjekë seancat publike deri në plotësimin e kapacitetit të sallës, duke respektuar organizimin e saj dhe udhëzimet e personelit të sigurisë.”
Përgjigja është një mashtrim më vete. Vetë GJKKO ka parashikuar se vendet në sallën e gjyqit plotësohen sipas kësaj radhe përparësie: i) subjektet në gjykim; ii) familjarët dhe iii) përfaqësuesit e akredituar të medias.
Pra publiku as që është parashikuar. Ndërsa media, e cila në këtë rast, mbetet mjeti i vetëm për t’i përcjellë publikut atë që ndodh në sallë, i ka duart e lidhura. Madje nëse nuk ka vende mjaftueshme, prania e gazetarëve parashikohet me rotacion.
Telefoni celular, i përdorur ekskluzivisht për komunikimin e informacionit në redaksi, përmes mesazheve me tekst, nuk trajtohet si një mjet pune për gazetarët, dhe është i ndaluar. Lejohen lapsat apo stilolapsat, me rrezikun që dhe ato mund të konsiderohen mjete që kërcënojnë sigurinë e procesit!
E gjitha kjo, në një situatë kur është i ndaluar përdorimi i magnetofonëve për regjistrimin audio, të cilin gjykata nuk ia ofron gazetarëve. Ndërsa përdorimi i kamerave është bërë gati i pamundur.
Praktika e deritanishme si dhe udhëzimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, parashikon një kërkesë me shkrim 24 orë përpara seancës, dhe shprehjen e trupës së gjykatësve me vendim. “Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”, saktëson udhëzimi i KLGJ-së, të cilin GJKKO e ka hedhur në kosh. Sipas Rregullores së re, vendimi i njoftohet përfaqësuesit të medias para fillimit të seancës nga nëpunësi përgjegjës për marrëdhëniet me median. Vendimet e trupës gjyqësore janë publike dhe arsyetohen. Por GJKKO, mendon dhe vendos sipas dëshirës së saj.
E drejta për informim është një nga liritë dhe të drejtat e parashikuara në kushtetutë. Dhe Kushtetuta parashikon që të drejtat dhe liritë kufizohen vetëm me ligj. Ligjet janë produkt vetëm i parlamentit, dhe një akt i një Gjykate, qoftë dhe e Posaçme, nuk mund të dalë mbi to. Në rast të kundërt, është thjesht antikushtetues./k.m
