Last Updated on 10/09/2026 by Anisa
Kallëzimi penal i bërë nga gjyqtarët ndaj Ministrit të Financave, lidhur me çështjen e pagave, ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Rama e ka cilësuar kallëzimin si një përpjekje të gjyqtarëve për të detyruar Ministrin e Financave të lejojë rritjen e pagave të tyre, ndërsa thekson se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të Shqipërisë.
“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë”, shprehet Rama.
Kryeministri sqaron se Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me të dhe me ministrin e Drejtësisë për qëndrimin e mbajtur mbi këtë çështje.
“Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë”, vijon Rama.
Kryeministri e ka cilësuar gjithashtu si “historinë bajate të vetërritjes së rrogave” debatin e krijuar, duke nënvizuar se gjyqtarët janë pjesë e kategorive më të mirëpaguar në vend.
Megjithatë, Rama garanton se pagat do të rriten, por vendimi do të merret nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Për sa më takon, asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, përfundon kryeministri./AD
