Nga Blerim Gjeladini
Në qarqet me peshën më të madhe demografike dhe ekonomike të vendit, interesi për protestën rezulton dominues. Në Durrës, protesta përbën 64% të kërkimeve kundrejt 36% për Edi Ramën, në Tiranë 63% kundrejt 37%, ndërsa në Vlorë po ashtu 63% kundrejt 37%. Kjo do të thotë se për çdo 100 kërkime të lidhura me këto dy tema, rreth 63-64 lidhen me protestën dhe vetëm 36-37 me Kryeministrin.
Edhe në Shkodër protesta kryeson me 57%, ndërsa në Korçë diferenca është minimale me 51% kundrejt 49%.
Nga ana tjetër, Edi Rama ruan avantazhin në Gjirokastër (63% kundrejt 37%), Dibër (61% kundrejt 39%), Berat (60% kundrejt 40%), Fier (59% kundrejt 41%), Elbasan (55% kundrejt 45%) dhe Lezhë (52% kundrejt 48%).
Nuk është e rëndësishme vetëm sa qarqe fiton secila temë, por ku fitohen ato. Protesta po dominon pikërisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, zona që përfaqësojnë një pjesë shumë të madhe të popullsisë, aktivitetit ekonomik, mediave dhe diskutimit publik në vend. Kjo tregon se tema e protestës po arrin të marrë qendrën e debatit publik dhe të gjenerojë më shumë kuriozitet, diskutim dhe kërkim informacioni sesa vetë figura e Kryeministrit në qendrat kryesore urbane.
Në terma të komunikimit publik, kjo do të thotë se protesta ka arritur të vendosë agjendën e diskutimit online dhe të tërheqë më shumë vëmendje sesa kundërshtari politik në momentin e analizës.

