Protesta të tensionuara janë zhvilluar jashtë qendrës së ndalimit të emigrantëve Delaney Hall në Newark të SHBA-së, ku dhjetëra demonstrues u përballën me agjentët e Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave, ICE. Protestuesit qëndruan deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, duke ngritur grushtet dhe duke brohoritur kundër politikave të emigracionit.
Brenda godinës, të ndaluarit u panë duke bërë me shenja nga dritaret, ndërsa fikja dhe ndezja e dritave u interpretua si formë komunikimi me turmën jashtë, e cila iu përgjigj me thirrje dhe duartrokitje.
Demonstruesit formuan zinxhirë njerëzorë dhe përdorën megafonë për të kërkuar mbylljen e qendrës së ndalimit, si edhe trajtim më human për emigrantët e ndaluar. Nga ana tjetër, agjentët e ICE qëndruan të rreshtuar përballë protestuesve, duke ruajtur perimetrin e sigurisë.
Sipas aktivistëve dhe disa ligjvënësve demokratë, qindra të ndaluar në Delaney Hall kanë hyrë në grevë urie për shkak të kushteve të këqija të jetesës dhe mungesës së kujdesit mjekësor. Autoritetet amerikane i kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se të ndaluarve u ofrohen shërbime dhe kushte të përshtatshme./mxh
