Koreja e Jugut zhvilloi këtë të enjte një stërvitje të përbashkët me zjarr të vërtetë, duke shfaqur kapacitetet kryesore luftarake të ushtrisë dhe duke theksuar angazhimin për mbrojtje të pavarur dhe moderne.
Stërvitja ushtarake “Joint Live-Fire Exercise 2026” u mbajt në qytetin Pocheon, në veri të Seulit, nën mbikëqyrjen e ministrit të Mbrojtjes, Ahn Gyu-back. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktiviteti kishte për qëllim të demonstronte gatishmërinë e forcave të armatosura dhe aftësinë për operacione të koordinuara mes njësive ushtarake.
Në manovër morën pjesë rreth 1,400 trupa nga 27 njësi të ushtrisë tokësore, marinës, forcave ajrore dhe marinsave. Gjatë stërvitjes u përdorën 457 mjete dhe sisteme ushtarake të 96 llojeve të ndryshme, përfshirë mjete manovrimi, artileri dhe avionë luftarakë.
Mes armatimeve të ekspozuara ishin tanku modern K2, obusi vetëlëvizës K9 dhe avioni luftarak KF-21 Boramae, të gjitha të prodhuara në Korenë e Jugut. Gjithashtu u prezantuan edhe sisteme të reja pa pilot dhe teknologji të bazuara në inteligjencën artificiale, të konsideruara pjesë kyçe e luftës moderne.
Autoritetet koreano-jugore deklaruan se stërvitja synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të vendit në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon./mxh
