Grupi danez Eurodance Aqua, i njohur në mbarë botën për hitin ikonik të vitit 1997 “Barbie Girl”, ka njoftuar ndarjen e tij si grup që performon live, pas gati tre dekadash aktiviteti.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram këtë të hënë anëtarët e grupit shprehën mirënjohjen e tyre për rrugëtimin e gjatë muzikor.
“Pas shumë vitesh të jashtëzakonshme, kemi vendosur të mbyllim kapitullin e AQUA si një grup që performon live,” shkruhej në deklaratë. “AQUA ka qenë një pjesë e madhe e jetës sonë dhe kemi pasur mundësinë të përjetojmë më shumë sesa kemi ëndërruar ndonjëherë.”
Grupi shtoi se gjatë viteve kanë udhëtuar në të gjithë botën, kanë takuar miliona fansa dhe kanë krijuar kujtime që do t’i mbajnë gjithmonë me vete. Sipas tyre, vendimi për t’u tërhequr vjen në një moment kur ndihen të gatshëm të ruajnë atë që kanë ndërtuar së bashku, duke u larguar me “dashuri dhe respekt për muzikën dhe njëri-tjetrin”.
Aqua u bë i famshëm ndërkombëtarisht me albumin debutues Aquarium, i cili përfshinte këngën “Barbie Girl”, me tekste që u bënë menjëherë pjesë e kulturës pop.
Në vitin 2000, kompania “Mattel”, pronare e markës Barbie, paditi label-in MCA Records duke pretenduar se kënga shkelte markën tregtare dhe e seksualizonte kukullën. Megjithatë, padia u rrëzua në vitin 2002, kur gjykata vendosi se kënga ishte një parodi e mbrojtur nga Amendamenti i Parë.
Në vitin 2023, kënga përjetoi një rikthim të madh kur u ripërpunua nga Nicki Minaj dhe Ice Spice për filmin “Barbie”, duke sjellë sërish sukses ndërkombëtar për grupin dhe duke i rikthyer në skenën amerikane me një hit të ri në Top 10, nominime për Grammy dhe një turne në SHBA.
Pjestari Søren Rasted ka thënë më herët se rikthimi i suksesit ishte “jashtëzakonisht fantastik”, duke reflektuar ndikimin e vazhdueshëm që “Barbie Girl” ka në kulturën pop edhe pas gati 30 vitesh./mxh
