Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Guvernatori Gent Sejko, priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit për marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, duke e vlerësuar Spanjën si një partner të rëndësishëm evropian.
Guvernatori Sejko i prezantoi Ambasadorit panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj janë në një trend pozitiv zhvillimi.
“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, tregjet financiare kanë qenë të qeta me kushte financimi akomoduese. Gjithashtu parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive.”– u shpreh Guvernatori.
Ambasadori Cremades përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e realizuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, garantimit të stabilitetit financiar dhe forcimit të qëndrueshmërisë së ekonomisë.
Gjithashtu, ai u ndal në progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe si një arritje e çmuar e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë bisedës, Ambasadori vlerësoi veçanërisht politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të objektivit të saj kryesor, ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve. m.p.