Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Një sulm kibernetik ka goditur platformën kryesore të shërbimeve cloud të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, duke ngritur shqetësime për sigurinë e një sasie të madhe të dhënash ushtarake dhe operative.
Sipas një raportimi të Reuters, i bazuar në burime që kanë dijeni për çështjen, ndërhyrja në platformën Cloud One u zbulua gjatë muajit të fundit, në kuadër të punimeve për përditësimin e sistemit.
Deri më tani nuk dihet identiteti i autorëve të sulmit, përmasat e plota të ndërhyrjes apo nëse hakerët kanë arritur të vjedhin të dhëna.
Cloud One u krijua në vitin 2017 për të centralizuar shërbimet informatike të Forcave Ajrore amerikane. Platforma mbështetet në infrastrukturën e katër gjigantëve teknologjikë, Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet, dhe përdoret për dhjetëra aplikacione që administrojnë të dhënat e personelit, pagat, furnizimet dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake.
Mes sistemeve që mbështeten në këtë platformë janë edhe ato që përpunojnë informacionet nga radarët e mbrojtjes ajrore në Amerikën e Veriut, si dhe një sistem që gjurmon rezervat e bombave dhe raketave në më shumë se 200 baza të Forcave Ajrore amerikane në mbarë botën.
Zbulimi i ndërhyrjes ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e platformës. Sipas burimeve të Reuters, është pezulluar transferimi i aplikacioneve të reja drejt Cloud One, ndërsa janë bllokuar edhe përditësimet e aplikacioneve ekzistuese.
Si pasojë, personeli nuk mund të instalojë për momentin disa përmirësime dhe korrigjime sigurie. Gjithashtu, disa përdoruesve u janë hequr të drejtat e administratorit.
Një prej burimeve bëri të ditur se hakerët mund të kenë shfrytëzuar një dobësi në programin kompjuterik për të depërtuar në nivelin qendror të kontrollit të platformës.
Kjo qasje mund t’u jepte mundësi të merrnin informacione mbi gjendjen operative të avionëve ushtarakë apo lëvizjen e pjesëve të këmbimit. Megjithatë, nuk ka konfirmim se sulmuesit kanë arritur të sigurojnë këto të dhëna.
Për të vlerësuar dëmet dhe përmasat e ndërhyrjes, në hetim është përfshirë edhe Komanda Kibernetike e SHBA-së (US Cyber Command).
Forcat Ajrore amerikane nuk kanë dhënë detaje mbi sistemet e prekura, por kanë deklaruar se marrin vazhdimisht masa për mbrojtjen e informacionit dhe kapaciteteve të tyre operacionale./ad
